Ballina Kronika RENEA del duarbosh nga “7 Pallatet”, sekuestrohet municion luftarak dhe disa telefona,...

RENEA del duarbosh nga “7 Pallatet”, sekuestrohet municion luftarak dhe disa telefona, “Sakati” dhe “Qorri” ia mbathin nga Vlora

101
0

Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj janë në arrati dhe pavarësisht kontrolleve të Forcave Speciale RENEA prej mëngjesit në Vlorë, nuk janë mundur të lokalizohen. Baza e Hajrullës, zona e njohur si “7 Pallatet” te Kompleksi Oslo, është kontrolluar imtësisht.

Specialët që mësynë këtë të shtunë nga Tirana në zonën e Lungomarës dhe unazës së Ujit të Ftohtë, kanë dalë duarbosh pasi asnjë nga këta dy eksponentë të krimit nuk është gjetur në apartamentet e bastisura.

Policia ka mundur të sekuestrojë gjatë kontrolleve vetëm municion luftarak dhe disa aparate celulare.

Ervis Matodashaj njihet në Vlorë me nofkën “Qorri”, kurse Inez Hajrulla me nofkën “Sakati”. Ai ka mbetur i gjymtuar për shkak të një atentati të rëndë që ju bë disa vite më parë në Lungomare, ku fatkeqësisht humbi të dyja këmbët.

Një vit e gjysmë më parë, autoritetet mund të zbardhnin një plan për vrasjen e dy eksponentëve të lartë të krimit në qytetin e Vlorës, dhe ekstraduan nga Spanja porositësin, shtetasin Leonard Luzi alias Leonard Sejno.

48 vjeçari njihet në qytetin bregdetar dhe qarqet kriminale me nofkat “Nard Çami” dhe “Daku”. Për shkak të konflikteve me eksponentë të tjetër të krimit në Vlorë, ai porositi vrasjen e Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj për 500 milionë lekë.

Shtatë urdhërarreste janë lëshuar nga Prokuroria e Posaçme për eksponentë të lartë të krimit në qytetin bregdetar të Vlorës, ndaj në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, Forcat Speciale nga Tirana kanë zbarkuar në zonën e kompleksit Oslo.

Mes personave për të cilët është lëshuar urdhërarrest janë Flodian Plaku dhe Ervis Matodoshaj. Dy shtetas të tjerë janë ndaluar në Itali, njëri në Greqi dhe dy të fundit raportohet se janë Ines Hajrulla dhe Ervis Hajrulla.

Mësohet se këta persona kanë porositur vrasjen dhe kanë ekzekutuar shtetasin Gentjan Qarri, i njohur dhe me nofkën “Gëçe”, ngjarje e ndodhur pranë Bibliotekës te Kisha Ortodokse, në lagjen “29 nëntori”, më datë 6 Shkurt 2021.