Ballina Kulturë Shpëtohet arkivi i fotografit korçar Guri Koti

Shpëtohet arkivi i fotografit korçar Guri Koti

77
0

Pas transmetimit të lajmit në Euronews Albania për amanetin e pa mbajtur të fotografit korçar Guri Koti, lidhur me dixhitalizimin e arkivit të tij të pasur fotografik, është ndërmarrë më në fund një hap konkret për shpëtimin e kësaj pasurie të rrallë kulturore.

Drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Eljan Tanini, ka reaguar, ku ka firmosur kontratën për marrjen në mbrojtje dhe dixhitalizimin e arkivit të fotografit. Projekti parashikon ruajtjen dhe skanimin e mijëra fotografive që dokumentojnë historinë e qytetit të Korçës, jetën e përditshme të banorëve dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të njohura të kohës, përfshirë edhe Trikotazhin e Korçës.

Përveç dixhitalizimit të materialeve, në plan është edhe organizimi i një ekspozite të posaçme me fotografitë më përfaqësuese të arkivit, si dhe botimi i një libri në nder të veprës së fotografit Guri Koti.

E bija e fotografit, Mimoza Koti, u shpreh e emocionuar për këtë zhvillim, duke theksuar se më në fund po përmbushet amaneti i babait të saj për ruajtjen dhe promovimin e këtij arkivi të çmuar.

“Arkiva, ishte amaneti më i madh. E kishte kaq me pasion, tregon gjithë jetën e tij. Jam e lumtur për këtë. E kënaqur. Desha shumë që të dilte në pah, ta vlerësonin. Po bëhet”, tha ajo.

Arkivi fotografik i Guri Kotit konsiderohet një nga koleksionet më të rëndësishme vizuale për historinë e Korçës, pasi përmes objektivit të tij janë dokumentuar dekada të tëra të jetës së qytetit.