Pas debatit të ashpër që ndodhi disa ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës, reagimet kanë dalë tashmë edhe jashtë sallës së parlamentit. Në qendër të Tiranës janë shfaqur shkrime në mure që lidhen me deklaratat e bëra gjatë asaj seance.
Sipas fotografive, disa qytetarë aktivistë kanë shkruar në muret e kryeqytetit një mesazh të drejtuar ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Në mbishkrimin e bërë me bojë lexohet:
“0900 kontakto Taulant Ballën për korrupsion dhe kurvlliqe politike.”
Mesazhi duket se lidhet drejtpërdrejt me përplasjen e fortë që ndodhi në Kuvend, pasi Taulant Balla përdori shprehjen “0900”, duke iu drejtuar deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi. Kjo frazë shkaktoi reagim të menjëhershëm nga deputeti i opozitës Gazmend Bardhi, i cili e akuzoi Ballën për fyerje të rëndë ndaj koleges së tij.
Debati u përshkallëzua në sallën e Kuvendit, ku deputetët u afruan pranë foltores dhe ndërhyri Garda për të shmangur përplasjen fizike. Situata detyroi ndërprerjen e seancës plenare.
Pas incidentit, opozita kërkoi largimin e Ballës nga salla, ndërsa drejtimi i seancës nga Niko Peleshi solli përplasje të tjera verbale me deputetët e Partisë Demokratike.
Ndërkohë, grafitet e shfaqura në Tiranë tregojnë se debati politik ka kaluar edhe jashtë mureve të parlamentit, duke u shndërruar në një formë proteste simbolike nga aktivistë të ndryshëm në kryeqytet.







