Ballina Politika Balliu: Policia është kthyer në dorën e zezë të krimit në shtet,...

Balliu: Policia është kthyer në dorën e zezë të krimit në shtet, polici i arrestuar porositi 400 kg kokainë për bandën kriminale

222
0

Deputeti i Klevis Balliu u shpreh se operacionet e SPAK, bazuar në përgjimet e SKY ECC nga partnerët belgë, zbulojnë shndërrimin e shtetit shqiptar në “narkoshtet”.

Ai akuzoi policinë për bashkëpunim me grupe kriminale, duke përmendur rastin e Rezart Kuçit, ish-shef krimesh në Vlorë, i cili sipas dosjes së SPAK furnizonte bandat me informacione dhe dekonspironte operacionet policore.

Balliu theksoi se trafiku i drogës, përfshirë 400 kg kokainë nga Amerika Latine për Europën, ka lidhje me struktura të kriminalizuara të shtetit dhe se miliardat e pastra nga ky trafik investohen në ndërtim me leje të dhëna nga qeveria.

Ai prezantoi një projektligj që synon përdorimin e pasurive të konfiskuara nga krimi për familjet e viktimave dhe çiftet e reja që kanë nevojë për strehim, duke thënë se pasuritë e krimit duhet t’i kthehen qytetarëve.

Deputeti bëri thirrje për mobilizim kundër “kartelit politik dhe kriminal” dhe për mbrojtjen e demokracisë dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë, duke ftuar qytetarët të protestojnë më 12 mars.

Deklarata e plotë:

Operacioni i SPAK, bazuar në përgjimet e SKY ECC, sjellë nga partnerët belgë, ka ekspozuar sërish një realitet dramatik: shndërrimin e shtetit në narkoshtet. Nga institucion që mbron qytetarët dhe lufton krimin, policia në shumë raste, tashmë të dokumentuatra, është shndërruar në dorë të zezë të krimit në punët e shtetit.

Dosja e fundit e SPAK përfshin një rast tronditës. Rezart Kuçi, bashkëpunonte me grupin kriminal të Inez Hajrullës në kohën kur shërbente si shef krimesh në Vlorë. Ai, jo vetem e furnizonte bandën me informacion për rivalët, por edhe dekonspironte operacionet e policisë dhe të partnerëve ndërkombëtarë.

Në këtë dosje dokumentohet porosia per një sasi prej 400 kilogramë kokaine nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Një pjesë është trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor të vitit 2020 dhe është sekuestruar nga autoritetet gjermane.Dosje si “Metamorfoza”, “Flakë në Det”, “Çopjat”, “Çelajt” etj., kanë një element të përbashkët: zyrtarë të shtetit si pjesë integrale e strukturave të krimit të organizuar.

Ata policë që në kohën e Saimir Tahirit merrnin përqindje nga parcelat e kanabisit, në kohën e Sandër Lleshajt dhe Taulant Ballës evoluan drejt një kriminaliteti më të sofistikuar, duke porositur kontejnerë me kokainë nga Amerika Latine për tregun europian.

Oltion Bistri, kryepolici me 5 milionë euro pasuri, është pasqyrim i këtij progresi në kriminalitet dhe regresi të shtetit.Tonelatat e droges te qarkulluara nga narkotrafikanet shqiptare me ndihmen e strukturave të kriminalizuara të narkoshtetit të Edi Ramës janë një realitet dramatic.

Miliardat e këtij trafiku pastrohen në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, me lejet e dhëna nga Rama. 14 milionë metra katrorë leje ndërtimi, një volum i paprecedent që krijon terrenin ideal për pastrimin enarko- eurove, janë fakt. Eshtë e papranueshme dhe e padrejte që pasuritë e krijuara nga krimi të mbeten thjesht nën administrimin burokratik të shtetit. Ato duhet t’u kthehen qytetarëve.

Në këtë kuadër, kam paraqitur një projektligj, i cili parashikon që pasuritë e konfiskuara nga krimi i organizuar apartamente, prona dhe asete financiare të përdoren drejtpërdrejt për familjet e efektivëve të rënë në detyrë, për familjet e qytetarëve që kanë humbur jetën si pasojë e përplasjeve të bandave kriminale, si dhe për çiftet e reja, që sot e kanë gjithnjë e më të pamundur të sigurojnë strehim.

Pasuritë e krimit duhet të përdoren për të mbështetur familjet që kanë sakrifikuar për vendin dhe për të krijuar mundësi reale që të rinjtë të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.

Ne duhet ta crrënjosim këtë sistem i cili nuk mund të funksionojë pa mbështetjen e kreut të qeverisë.Ne duhet të ngrihemi kundër kartelit politik dhe kriminal që ka kapur Policinë e Shtetit dhe qeverinë, për të mbrojtur njerëzit, demokracinë, shtetin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Më 12 mars ne protestojme pikërisht për këto vlera dhe kundër këtyre krimeve.