Ballina Ekonomia Efektet e turizmit, çdo euro e turistëve gjeneron deri në 2.8 euro...

Efektet e turizmit, çdo euro e turistëve gjeneron deri në 2.8 euro në ekonominë shqiptare

150
0

Turizmi nuk është vetëm një sektor që sjell të ardhura direkte nga hotelet, restorantet apo transporti. Ai funksionon si një motor ekonomik shumë më i gjerë, që përhap efektet e tij në pothuajse çdo sektor të ekonomisë shqiptare. Një analizë e publikuar nga ALTAX tregon se shpenzimet e turistëve në Shqipëri shumëfishohen në ekonomi, duke krijuar një efekt zinxhir që prek nga fermerët dhe ndërtuesit deri te tregtia dhe shërbimet.

Sipas kësaj analize, rreth 5.5 miliardë euro shpenzime direkte të turistëve në vitin 2025 transformohen në një ndikim total prej 14.3 deri në 15.4 miliardë euro në ekonomi, falë multiplikatorit ekonomik që vlerësohet 2.6 deri në 2.8 herë. Kjo do të thotë se çdo euro e shpenzuar nga turistët gjeneron edhe 1.6 deri në 1.8 euro shtesë në ekonomi përmes zinxhirit të furnizimit dhe konsumit të brendshëm.

Në total, sipas vlerësimeve të analizës, turizmi kontribuon me rreth 26–28% të PBB-së dhe mbështet 274 mijë deri në 278 mijë vende pune direkte, pa përfshirë efektet indirekte dhe të induktuara në sektorë të tjerë.

Në strukturën e këtij ndikimi ekonomik, rreth 35–38% përbëhet nga efektet direkte, që përfshijnë shpenzimet në hotele, restorante, transport dhe aktivitete turistike. Pjesa tjetër shpërndahet në ekonomi përmes dy mekanizmave të tjerë: efekteve indirekte, që lidhen me zinxhirin e furnizimit, dhe efekteve të induktuara, që lidhen me shpenzimet e punonjësve që përfitojnë nga turizmi.

Efektet indirekte përfaqësojnë rreth 32–35% të ndikimit total, ose rreth 4.6 deri në 5.4 miliardë euro, duke përfshirë furnizimin me produkte bujqësore, peshk, energji, mobilje apo shërbime të tjera që përdoren nga industria turistike. Ndërkohë 28–32% e ndikimit total vjen nga efekti i induktuar, ku punonjësit e sektorit të turizmit dhe sektorëve të lidhur shpenzojnë të ardhurat e tyre në ekonomi, nga supermarketet dhe qiratë deri te arsimi privat apo argëtimi.

Analiza e ALTAX tregon gjithashtu se Shqipëria ka arritur një nivel relativisht të lartë multiplikatori në rajon. Me 2.6–2.8 herë, vendi renditet pranë ekonomive turistike si Greqia dhe Kroacia, ndërsa qëndron pak pas Malit të Zi, ku multiplikatori arrin deri në 3.1 herë. Në krahasim, Bullgaria ka një efekt shumëfishues më të ulët, rreth 2.4–2.6 herë.

Rritja e këtij multiplikatori në Shqipëri ka qenë e dukshme gjatë viteve të fundit. Në vitin 2021, pas goditjes së pandemisë, ai vlerësohej vetëm 2.1–2.2 herë, ndërsa deri në 2025 arriti kulmin historik, falë rritjes së qëndrimit mesatar të turistëve dhe integrimit më të madh të prodhimit vendas në sektorin e turizmit.

Sektorët që përfitojnë më shumë nga ky efekt zinxhir janë bujqësia, tregtia dhe ndërtimi. Bujqësia dhe peshkimi përthithin rreth 18–22% të efekteve indirekte dhe të induktuara, duke krijuar 35 mijë deri në 45 mijë vende pune indirekte, kryesisht përmes kërkesës për produkte ushqimore nga hotelet dhe restorantet. Tregtia me pakicë dhe shërbimet përfitojnë 20–24%, me një ndikim të rëndësishëm në punësim, ndërsa ndërtimi dhe industria e mobiljeve marrin 12–15% të këtij ndikimi, falë investimeve të vazhdueshme në hotele dhe infrastrukturë turistike.

Ky efekt shpërndahet edhe gjeografikisht në të gjithë vendin. Ndërsa turistët përqendrohen kryesisht në bregdet, përfitimet ekonomike arrijnë deri në zona të brendshme si Fieri dhe Lushnja për prodhimin bujqësor, apo në sektorin e transportit dhe logjistikës që lidh rajonet.

Megjithatë analiza evidenton edhe një sfidë të rëndësishme: një pjesë e konsiderueshme e parave që gjeneron turizmi largohet nga ekonomia përmes importeve. Rreth 35–42% e shpenzimeve turistike, që përkthehet në 3.1 deri në 3.9 miliardë euro, përfundojnë jashtë vendit për produkte dhe pajisje të importuara.

Pjesa më e madhe e kësaj rrjedhjeje lidhet me ushqimet dhe pijet, që përbëjnë rreth 40–45% të importeve, pasuar nga mobiljet dhe pajisjet për hoteleri, karburantet dhe produktet tekstile.

Sipas analizës së ALTAX, reduktimi i kësaj varësie nga importet mund të rrisë ndjeshëm përfitimin ekonomik nga turizmi. Masa si kontratat direkte mes fermerëve dhe hoteleve, nxitjet fiskale për industrinë përpunuese, certifikimet e cilësisë dhe prodhimi lokal i mobiljeve mund të rrisin multiplikatorin ekonomik deri në 3.0–3.2 herë.

Nëse këto politika do të zbatoheshin, ekonomia shqiptare mund të përfitonte 2.6 deri në 4 miliardë euro shtesë në vit, edhe pa rritur numrin e turistëve.

Në këtë kontekst, turizmi nuk shihet vetëm si një sektor i shërbimeve, por si një mekanizëm transformues për ekonominë shqiptare, që lidh bregdetin me zonat rurale, nxit prodhimin vendas dhe krijon një zinxhir të gjerë vlerash në të gjithë vendin. /ekofin.al