Ballina Politika “Kujdesi është sakrificë e përditshme”, Tabaku kërkon sigurime për prindërit e fëmijëve...

“Kujdesi është sakrificë e përditshme”, Tabaku kërkon sigurime për prindërit e fëmijëve me autizëm

179
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka bërë thirrje për ndërmarrjen e një nisme konkrete ligjore për njohjen e sigurimeve shoqërore për prindërit që kujdesen për fëmijët me spektrin e autizmit dhe sindromën Down.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit ka zhvilluar disa takime në Kuvend, por edhe jashtë tij, me shoqata, drejtues qendrash dhe prindër të fëmijëve me spektrin e autizmit dhe sindromën Down.

Sipas saj, këto takime kanë nxjerrë në pah realitetin e vështirë me të cilin përballen familjet, veçanërisht nënat që mbajnë peshën kryesore të kujdesit të përditshëm.

Deputetja theksoi se shumë prej këtyre prindërve janë kujdestarë me kohë të plotë për fëmijët e tyre, duke sakrifikuar shpesh karrierën dhe mundësitë personale, ndërkohë që sistemi aktual nuk e njeh këtë përkushtim si kontribut të vlefshëm në aspektin e sigurimeve shoqërore.

Sipas Tabakut, ka ardhur momenti që Kuvendi i Shqipërisë të ndërmarrë një hap konkret për të njohur këtë sakrificë dhe për të garantuar sigurime shoqërore për prindërit kujdestarë të fëmijëve me spektrin e autizmit dhe sindromën Down.

“Kujdesi për këta fëmijë është një përkushtim i përditshëm dhe një përgjegjësi e madhe për familjen. Por mbështetja ndaj tyre duhet të jetë edhe përgjegjësi e shoqërisë dhe e shtetit,” theksoi ajo.

Në përfundim, Tabaku u shpreh se kjo është një çështje që duhet të hapet seriozisht në debat publik dhe institucional, duke theksuar se institucionet duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të mbështetur familjet që përballen çdo ditë me këtë përgjegjësi të madhe.