Tifozët e Rangers dhe Celtic pushtuan fushën e stadiumit Ibrox pasi Celtic fitoi me penallti (4:2) ndaj Rangers-it dhe u kualifikua në çerekfinalen e Kupës së Skocisë në futboll.
Sipas raportimeve, një anëtar i stafit të trajnerëve të Celtic u sulmua në atë që u përshkrua si “skena të shëmtuara”.
Derbi shkoi deri te penalltitë pasi 120 minutat e lojës përfunduan pa gola. Në fund, penalltia e Tomas Cvancara vendosi fituesin e serisë, duke shkaktuar festë të madhe në tribunën “Broomloan End”, e cila ishte e mbushur me tifozë mysafirë për herë të parë pas tetë vitesh.
Festimet kaluan edhe në fushë dhe policia u detyrua të ndërhynte kur tifozët vendas reaguan duke hyrë gjithashtu në fushë.
Pas ndeshjes, shefja e policisë Kate Stephen deklaroi se sjellja e disa tifozëve ishte e turpshme dhe duhet të dënohet nga të gjithë në futboll dhe shoqëri.
“Ajo që ndodhi sot në çerekfinalen e Kupës së Skocisë mes Rangers dhe Celtic në Ibrox ishte e turpshme.
Janë bërë tashmë disa arrestime dhe Policia e Skocisë do të punojë me të dy klubet dhe Federatën e Futbollit të Skocisë për të zhvilluar një hetim të plotë për incidentet në fushë pas përfundimit të ndeshjes.
Oficerët e policisë dhe sigurimi u përballën me armiqësi dhe dhunë për një periudhë të gjatë, ndërsa shumë persona kishin marrë me vete objekte që duket se ishin të destinuara për të shkaktuar dëm. Disa oficerë dhe qytetarë janë lënduar gjatë këtyre skenave të papranueshme”, tha ajo për mediumin skocez “Daily Record”.
Policia u bëri thirrje gjithashtu kujtdo që ka informacione për incidentet para, gjatë ose pas ndeshjes që të kontaktojë Policinë e Skocisë në numrin 101.
Trajneri i Rangers, Danny Rohl, ka thënë se skenat e shëmtuara që ndodhën pas ndeshjes nuk duhet të jenë “rreth futbollit”.
“Dëgjova vetëm se kishte diçka në fushë. Mendoj se të gjithë e dimë situatën emocionale pas një ndeshjeje. Askush nuk i pëlqen ta shohë këtë.
Mendoj se ishte një atmosferë e shkëlqyer, 120 minuta. Të gjitha gjërat e tjera nuk duhet të jenë në stadium ose rreth futbollit”, tha ai.
Trajneri i Celtic, Martin O’Neill, ka këmbëngulur se skenat e shëmtuara në fund të ndeshjes nuk duhet t’ia zbehin shkëlqimin fitores së skuadrës së tij.







