Ballina Politika DW/ PS refuzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, opozita...

DW/ PS refuzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, opozita në protestë në 12 mars

91
0

Shumica socialiste në Kuvendin e Shqipërisë vendosi të mos i japë autorizimin Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.

Në raportin e hartuar nga socialistët argumentohet se ndaj Belinda Ballukut nuk ka akuzë për korrupsion dhe se nuk ekziston rreziku i arratisjes apo i prishjes së provave, siç pretendohet nga SPAK-u. Raporti thekson se masa e pezullimit nga detyra si anëtare e Këshillit të Ministrave nuk prodhon më pasoja juridike reale, pasi Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive në qeveri.

“Narrativa mbi të cilën Prokuroria e Posaçme ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda, si rreziku i prishjes së provave, i arratisjes apo i kryerjes së një vepre tjetër penale, mbetet thelbësisht hipotetike për sa kohë lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e funksioneve ekzekutive që deputetja në fjalë nuk i ushtron më”, thuhet në raport.

“SPAK-u po heton lirisht dhe nuk po pengohet në ushtrimin e kompetencave sa i takon hetimit dhe ndjekjes penale, por kërkesa për zëvendësimin e masës, kompetenca përfundimtare i takon seancës në Kuvend” – u shpreh Ulsi Manja, anëtari i Këshillit të Mandateve teksa lexoi raportin e socialistëve për kërkesën e SPAK-ut.

Rama: Hetimi le të vazhdojë

Kryeministri Edi Rama, përsëriti qëndrimin e Partisë Socialiste në mbledhjen e grupit parlamentar, duke i cilësuar hetimet ndaj Ballukut si ‘gjyq publik’

“Që ne të ngremë dorën për arrestimin e Belinda Ballukut duhet të kemi të paktën një nga arsyet që kemi pasur, kur e kemi bërë këtë më parë,” tha Rama. Sipas tij, hetimi mund të vijojë dhe çështja mund të shkojë në gjykatë, por pretendimi se ajo mund të prishë provat “nuk qëndron”.

Rama shtoi se qeveria nuk do të ndërhyjë në procesin e drejtësisë dhe se vendimet përfundimtare u takojnë gjykatave.

Opozita kërkon votë pro arrestimit

Anëtarët e opozitës në Këshillin e Mandateve rekomandojnë në raportin e tyre miratimin e kërkesës së SPAK-ut. Sipas tyre, provat e paraqitura nga prokuroria, jurisprudenca kushtetuese dhe opinionet e Komisionit të Venecias mbështesin dhënien e autorizimit për arrest.

Votimi për imunitetin e Ballukut pritet të mbahet në seancën e së enjtes, më 12 mars.