Sistemi i mbikëqyrjes dhe sigurisë së digave në Shqipëri përballet me një sërë problemesh strukturore, që lidhen me mungesën e monitorimit të plotë, investimeve të qëndrueshme dhe funksionimit të strukturave përgjegjëse. Këto janë disa nga konkluzionet e raportit të auditimit të performancës “Mbrojtja dhe siguria e digave”, të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për periudhën 2021–2024.
Sipas auditimit, në Shqipëri ekzistojnë rreth 350 diga të mëdha dhe afro 300 diga të vogla, duke e renditur vendin ndër vendet me numrin më të lartë të digave në Evropë dhe në botë. Megjithatë, institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të krijojnë një sistem të plotë mbikëqyrjeje dhe monitorimi për të gjitha këto struktura.
Auditimi evidenton se aktiviteti i strukturave shtetërore është fokusuar kryesisht tek digat e mëdha, ndërsa rreth 300 diga të vogla nuk monitorohen në mënyrë të plotë, edhe pse legjislacioni nuk i përjashton ato nga kontrolli institucional.
Raporti tregon gjithashtu se rreth 30 diga të mëdha dhe 90 diga të vogla janë jashtë funksionit, ndërsa në disa raste mungesa e mirëmbajtjes dhe monitorimit sipas standardeve teknike ka çuar në përkeqësimin e gjendjes së tyre.
Problemet thellohen edhe nga mungesa e strukturave funksionale të kontrollit. Inspektorati Teknik i Digave, institucioni që duhet të kryejë inspektimet teknike të këtyre veprave, nuk ka qenë funksional për disa vite me radhë dhe vetëm në vitin 2024 janë parashikuar fondet e para për funksionimin e tij, në vlerën 228,662 lekë.
Auditimi thekson se një pjesë e madhe e digave në Shqipëri janë ndërtuar kryesisht gjatë periudhës 1960–1990, dhe për shkak të rëndësisë së tyre për prodhimin e energjisë, furnizimin me ujë dhe mbrojtjen nga përmbytjet, mirëmbajtja dhe monitorimi i tyre konsiderohen jetike për sigurinë publike.
Nisur nga të dhënat e auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon një vlerësim gjithëpërfshirës të gjendjes së të gjitha digave në vend, përmirësimin e kuadrit ligjor dhe forcimin e strukturave institucionale që mbikëqyrin sigurinë e tyre./ekofin.al







