Ballina Ekonomia Motoristët e Wolt “fikin motorët” në shenjë proteste, kërkojnë kushte të mira...

Motoristët e Wolt “fikin motorët” në shenjë proteste, kërkojnë kushte të mira pune

77
0

Motoristët që punojnë për shërbimin e shpërndarjes së porosive të kompanisë Wolt protestuan të dielën në Bulevardin e Ri, pranë ish-stacionit të Trenit, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës.

Herën e fundit motoristët e kësaj kompanie protestuan më 30 shtator 2024, kur u duk se arritën një mirëkuptim me përfaqësuesit menaxherialë të degës së kompanisë në Shqipëri.

Megjithatë, pakënaqësitë u rikthyen dhe bashkë me to edhe rezistenca për të mos punuar, apo siç e përshkruajnë protestuesit me jelekë blu, “për të qëndrojnë offline”.

“Përderisa ne po punojmë për 300 lekë kilometri, nuk ia vlen të ndezësh motorin”, tha njëri prej motoristëve për Citizens.

Sot, më 9 mars, motoristët i dërguan një shkresë kompanisë dhe zyrave të saj nënkontraktuese, ku paraqitën një sërë kërkesash lidhur me kushtet e punës. Në njoftim, ata shprehin pakënaqësi për uljen e ndjeshme të tarifave të shërbimit dhe kërkojnë që asnjë prej motoristëve protestues të mos penalizohet apo të nxirret “offline” nga aplikacioni.

Mes kërkesave kryesore janë rritja dhe transparenca e tarifës për kilometër, pajisja e të gjithë motoristëve me kontrata pune sipas Kodit të Punës, pagesë shtesë për ngjitjen e porosive në pallate me shumë kate dhe për porositë me prioritet, si dhe rikthimi në aplikacion i kategorisë “motorist” për ata që kryejnë shërbimin me motor.