Ballina Kulturë Një vështrim mbi librin “Gjergj Fishta – shkrimtari me vetëdije të lartë...

Një vështrim mbi librin “Gjergj Fishta – shkrimtari me vetëdije të lartë kombëtare” të Gjon Markut

65
0

Nga Prof. dr. Tefë Topalli

Në vitin 2024, Gjon Marku publikon dy studime për dy etër françeskanë, të cilët u njohën jo vetëm në botën letrare brenda vendit, por edhe jashtë Shqipërisë, me veprat e tyre aq të veçanta, që do të mbeten për shumë vite në historinë e letërsisë shqiptare. Është një trashëgimi arti në dy kohë: para dhe pas Luftës II Botërore.

Në studimin “Gjergj Fishta – shkrimtari me vetëdije të lartë kombëtare”, autori, edhe pa synuar të vetëquhet fishtolog, tërhiqet nga vepra shumëdimensionale e Poetit të Lahutës së Malcis dhe përpiqet të sjellë mendimet e veta për mënyrën se si e percepton ai artin e Fishtës në lirikë, epikë dhe dramatikë. Kjo është ana më pozitive, sepse na jep mundësinë të shohim konkretisht se si kalon dhe receptohet arti i madh i një shkrimtari me përmasa fishtjane. Njëherësh, ky hulumtim mbi opusin e përgjithshëm letrar të një autori klasik tregon se ai ka qenë dhe vijon të jetë pranë popullit, për të cilin edhe shkroi epopenë e madhe epike. (1)

Nga ana tjetër, afrimi për ta parë Fishtën në lëvrimin e të gjitha gjinive letrare, për një joprofesionist, siç është një specialist i shkencave të natyrës, krijon edhe vështirësitë e veta, meqenëse për këtë krijues të niveleve të larta kanë studiuar dhe shkruar shumë personalitete të letrave shqipe dhe kritikë të artit.

II

Libri studimor i Gjon Markut për shkrimtarinë e Gjergj Fishtës vjen me përmasat e një monografie të vërtetë, duke marrë parasysh shtrirjen e gjerë të tematikës dhe profilin e këndvështrimit të autorit, pa lënë jashtë edhe bibliografinë e përdorur si mbështetje të shtjellimit të argumentit. Ky fakt tregon nivelin e njohjes që ka autori për vendin që zë Gjergj Fishta në letërsinë e traditës, si dhe rëndësinë që ka sot vepra e tij për gjuhën shqipe.

Studimi përmban gjashtë krerë, të cilët autori i emërton me shumë kuptim, bazuar në përmbajtjen e tyre:

1. Tradita humaniste shqiptare në Rilindjen Europiane

Ky kapitull përfshin 36 faqe, duke përfshirë edhe zërat e literaturës së shfrytëzuar. Sipas mendimit tim, kjo pjesë ose duhej reduktuar, ose edhe hequr nga redaktori Bezhani, pasi ka përputhje me segmente të librit për Gazullorët dhe, për shkak të largësisë kohore të krijimtarisë, nuk mund të vendosej Fishta si vijues i drejtpërdrejtë i rrymës që prodhoi Rilindja europiane: humanizmit dhe asaj letërsie të përftuar nga shqiptarë që shkruanin në gjuhën latine.

2. Kreu II: “Gjergj Fishta – ky erudit i papërsëritshëm” (f. 38–66)

Në këtë kapitull përshkruhet pjesërisht veprimtaria e poetit, duke nisur nga Kongresi i Manastirit dhe Komisia Letrare e Shkodrës, kur ai drejtonte edhe gazetën “Posta e Shqypniës”, së bashku me albanologun Maximilian Lambertz (1916–1918). Autori njeh vlerësimet që i janë bërë poetit nga prof. Injac Zamputi dhe sjell në analizë të pjesshme poemën e madhe “Lahuta e Malcis”, Kanunin e Maleve të mbledhur nga Gjeçovi, citon Rose Wilder Lane dhe Umberto Eco, përmend gjithashtu Ernest Koliqin dhe Rrok Zojzin si etnograf.

Pa lënë jashtë edhe gjeografinë e teatrit të luftimeve gjatë qëndresës shqiptare, të përshkruar në poemë, autori merr në konsideratë edhe mendimet e prof. Ali Xhikut dhe Eqrem Çabejt, duke u ndalur në epizmin e kësaj vepre madhore, epope e popullit tonë, siç është quajtur shpesh. Në këtë kontekst del në pah edhe trimëria e malësorëve përmes përshkrimit të palës kundërshtare, siç është figura e M. Milanit. Autori përmend gjithashtu studiuesin Sabri Hamiti dhe legjislatorin Ismet Elezi, duke përfshirë edhe ndonjë segment për epin e Fishtës në raport me folklorin tonë epik. Në këtë paraqitje ai mbështetet në 43 zëra bibliografikë.

Kreu III, “Satira e Fishtës” (f. 67–104), sjell një pjesë po aq të rëndësishme të veprës së Poet it të Madh, për të cilin është thënë dhe shkruar se, sa është epik, aq edhe satirik është Fishta në krijimtarinë e tij. Madje, në popull, përveç poemës me 30 këngë “Lahuta e Malcis”, masat pak ose aspak të shkolluara, në kohën e tij dhe edhe pasi ai u nda nga jeta, kanë ditur dhe kanë përdorur shumë sentenca, fragmente dhe vjersha të tëra satirike. Shpesh këto mbështesnin diskutime e probleme të ndryshme, duke përsëritur shprehjen: “…ka thanë Fishta”. Bie fjala, për kreninë e tepërt, ishte në gojën e njerëzve të zgjuar strofa e Poet it:

“Sa njerëz të përmendun

Janë kalamendun

Prej ûsë e skamit e kanë mbarue?

S’kanë pasë as vorrin me e salikue!”

Autori e titullon dhe i qëndron analizës brenda përmbledhjes së njohur “Anzat e Parnasit – pikënisja e epërme e satirës shqiptare”. Fishta ka rrahur, në këtë tubë satirike të fillimshekullit XX, çështje të jetës shqiptare, kryesisht qytetare (jo vetëm të Shkodrës), si dhe probleme të kulturës, të hartimit të librave e botimit të tyre, çështje të arsimit të fëmijëve në shkolla të huaja dhe në ato në gjuhën shqipe, probleme të atdhetarizmit, të mashtrimit të njerëzve, të qëndrimit ndaj të huajve etj. Autori njeh dhe sjell në studim edhe lëvrues kritikë dhe vlerësues të krijimtarisë fishtjane në lëmin e satirës, si: Koliqi, Geci, Poradeci, Dema, Çapaliku (S), Dukagjini (Pal), Lacaj (H) etj.

Në një kapitull të veçantë, autori trajton temën bosht, të cilën e ka vënë edhe në titull të studimit: “Gjergj Fishta – shkrimtari me vetëdije të lartë kombëtare”, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te trajtimi në përmbajtje i dramës “Juda Makabe”, e cila nis me apostrofën:

“O Perëndi, a ndjeve?

Tradhëtarët na lanë pa atdhe,

E Ti rrin e gjun me rrfe

Lisat nëpër male kot!”(2)

Gjon Marku ka njohje për vlerësimet që i janë bërë Poetit nga Arshi Pipa, Osmani, Desnickaja, Zef Pllumi etj. Vetë Fishta ka shkruar lidhur me krenarinë që ka për atdheun dhe popullin e tij; ai jo vetëm e njeh dhe e do këtë gjuhë, por ka punuar një jetë të tërë për ta pasuruar:

“Edhe populli shqiptar, si t’gjithë popujt e tjerë, e ka ndie në vedi fuqinë e pushtetin e fjalës, e prandej asht orvatë me e zhvillue e me e hijeshue sa ma fort t’amblën gjuhë të vet kombëtare. Këtë e dëshmon jo vetëm ‘folklori’ i tij, që asht ndër ma të bukurit e t’interesantëshmit e Europës, por edhe monumentet letrare që të bijtë e këtij populli kanë prodhue, e për të cilat këtu duem me bisedue.”(3)

Ky studim për Poet in tonë të Madh mbyllet me bindjen e autorit të kësaj monografie se, në fund të saj, numri i teksteve dhe studiuesve të marrë në konsideratë arrin në 127 zëra, pavarësisht titujve akademikë apo podiumeve ku janë ngjitur personalitete të vendit dhe të huaja që janë marrë me veprën e Fishtës.

“Fishta këndohej, sepse në këngët e tij ishte shqiptari: në doke, në kanun, në mitologji, në folklor, në aspirata, në jetë, në luftë e në ngadhënjime. Sado që të shkruhet për Fishtën dhe për veprën e tij, prapë mendoj se është thënë pak.” (4)

Përshtypja kryesore që të lind përgjatë leximit dhe njohjes së argumentit të kësaj vepre, të shtruar prej autorit Gjon Marku, është guximi që merr mbi vete një specialist i shkencave të natyrës, i cili i afrohet dhe hyn me dinjitet në veprën e madhe të Poet it tonë Kombëtar, Gjergj Fishta. Aq më e vështirë është t’i afrohesh satirës së autorit të “Lahutës së Malcis”, i cili, po aq i madh sa përfaqësohet në epikë, lirikë e dramatikë, është edhe në lëmin e satirës. Kjo edhe për faktin se kjo anë e shkrimtarisë së Gjergjit, me gjallje të tij dhe pas largimit nga jeta, është bërë objekt kryesor i studimeve.

Pa u larguar prej këtij motivi, dua të theksoj se, pikërisht në satirë, Gjon Marku ka sjellë mendime me vlerë të vërtetë në rreth 30 faqe të librit të tij. Pa i mëshuar anës personale të këtij libri, vë në dukje se, posa u njoha me këtë vepër, vendosa të ndërmarr një paraqitje miqësore të krijimtarisë së autorit tonë, me entuziazmin dashamirës dhe me respekt për botimet e publikimet e poetit, prozatorit, publicistit dhe studiuesit Gjon Marku.