Ballina Aktualitet Shkarkohet nga detyra Drejtori i Task Forcës në AKUK, ja arsyeja

Shkarkohet nga detyra Drejtori i Task Forcës në AKUK, ja arsyeja

169
0

Drejtori i Përgjithshëm i Task Forcës në AKUK, (Agjensia Kombëtare Ujësjellës Kanalizime), Arnold Pashollari, është shkarkuar këtë të hënë nga detyra.

Në vend të tij është komanduar Sonila Rrumbullaku Boga. Shkarkimi i Pashollarit vjen pak kohë pas denoncimit të bërë publik në media, ku një inspektore në AKUK, deklaronte se Pashollari u bënte presione të vazhdueshme dhe kërcënime punonjësve për vendin e punës. Ajo pretendonte gjithashtu se Pashollari u merrte dietat inspektorëve dhe nuk jep makinat e institucionit për inspektime.

Po ashtu ajo e akuzonte Pashollarin, se gjatë inspektimeve, përgjegjësve të grupeve u kërkohej t’u japin bizneseve numrin e drejtorit, me qëllim që ai t’i “zgjidhë” çështjet pas orarit të punës. Sipas saj punonjësit nëse nuk dëgjonin urdhërat e Pashollarit kërcënoheshin me largim nga puna.

Ndërkohë pas denoncimit, burime bëjnë me dije se kanë nisur hetimet dhe janë vërtetuar denoncimet e bëra kundrejt Pashollarit. Po të nëjtat burime konfirmojnë se janë vërtetuar shkeljet e kryera nga Pashollari dhe për pasojë ky i fundit është shkarkuar nga detyra e drejtorit të Task Forcës në AKUK.

Më herët Pashollari ka mbajtur postin e drejtorit të AKU në Fier si dhe drejtorit të IMTV në Lushnje.