E gjithë skema si qeveria e kryeministrit Rama vjedh paratë e taksapaguesve shqiptarë është zbardhur nga SPAK në raportin e vitit 2025 që ky institucion ka dorëzuar në Kuvend. Bëhet fjalë për një strukturë të mirëfilltë mashtrimi dhe korrupsioni për të çuar paratë në xhepat e tyre.
SPAK evidenton se procesi i prokurimit publik, pra tenderat manipulohen në çdo fazë, nga përgatitja e dokumentacionit deri tek ekzekutimi i kontratave duke e kthyer këtë proces jo në një instrument të ligjshëm për investime publike , por si mekanizëm për shpërdorim fondesh dhe përfitime të paligjshme’ evidentohet në raport
“Hetimet kanë treguar se, korrupsioni në institucionet publike është i strukturuar dhe i planifikuar, duke përfshirë funksione të ndryshme administrative dhe publike’ evidenton raporti i hartuar nga prokurorët e SPAK të cilët sot morën një mesazh të qartë kërcënimi nga Rama i cili mbrojti sërish numrin 2 të qeevrisë, duke refuzuar heqjen e imunitetit për ti hapur rrugë arrestimit.
Raporti evidenton se çdo hallkë institucionale nga ajo administrative, tek gjyqësori dhe në nivel akademik është e korruptuar madje në disa raste kemi të bëjmë me veprime me risk të konsiderueshëm për shkak të përfshirjes në disa raste të krimit të organizuar.
Pjese nga raporti i SPAK
Korrupsioni
Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se, korrupsioni në institucionet publike dhe në sistemin e drejtësisë mbetet një fenomen shqetësues, i cili përfshin, funksionarë vendorë dhe administrativë, si edhe prokurorë, gjyqtarë, punonjës policie. Ky fenomen përdoret për përfitime personale, manipulim të procedurave ligjore dhe keqpërdorim të fondeve publike, si dhe për pastrim të të ardhurave të paligjshme, duke minuar integritetin e institucioneve dhe besimin e publikut. Disa nga format kryesore të korrupsionit të evidentuara gjatë vitit 2025, janë përshkruar, si më poshtë.
Korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë
Treguesit e vitit 2025 tregojnë se, korrupsioni në sistemin e drejtësisë përfshin individë me funksione publike, përfshirë prokurorë, gjyqtarë, oficerë të policisë gjyqësore dhe avokatë. Në disa raste, këta individë kishin kërkuar ose pranuar përfitime të paligjshme për të favorizuar pozita procedurale ose për të lehtësuar masa sigurie ndaj personave të akuzuar. Përfitimet nuk lidheshin me shërbime profesionale, por përdoreshin si instrument ndikimi ndaj vendimeve të drejtësisë. Përveç përfitimeve materiale, keqpërdorimi i funksioneve zyrtare, si mosreferimi i veprimeve korruptive ose devijimi nga procedurat ligjore, lehtësonte shmangien nga përgjegjësia penale, duke minuar integritetin e institucioneve dhe besimin e publikut në sistemin gjyqësor.
Manipulimi në procedurat e prokurimit publik
Hetimet kanë evidentuar se procesi i prokurimit publik manipulohej në çdo fazë, nga përgatitja e dokumentacionit deri tek ekzekutimi i kontratave. Titullarët e autoriteteve kontraktuese dhe zyrtarët përgjegjës hartonin specifikimet teknike dhe përllogaritjen e fondeve në favor të operatorëve të caktuar, ndërsa ofertat e konkurrentëve keq vlerësoheshin ose eliminoheshin/skualifikoheshin qëllimisht. Kontrolli formal shpesh nuk ishte kryer nga personat kompetentë, duke lejuar një përputhje të planifikuar mes operatorit të preferuar dhe procedurës, ndërsa shpërndarja e fondeve është bërë për shërbime të sajuara ose të zmadhuara artificialisht, duke përfshirë edhe projekte me donatorë ndërkombëtarë. Si rezultat, procesi i prokurimit ka funksionuar jo si një instrument i ligjshëm për investime publike, por si mekanizëm për shpërdorim fondesh dhe përfitime të paligjshme, duke cenuar barazinë dhe transparencën.
Korrupsioni i funksionarëve publikë
Hetimet kanë treguar se, korrupsioni në institucionet publike është i strukturuar dhe i planifikuar, duke përfshirë funksione të ndryshme administrative dhe publike.
Në rastet e prokurimeve dhe legalizimeve të pronave, zyrtarët përfitonin nga ana monetare për të favorizuar procedurat, duke bashkëpunuar me operatorë ekonomikë dhe duke manipuluar dokumentacionin dhe fondet limit të tenderave.
Në sektorin e policisë dhe kontrollit doganor, skemat përfshinin korrupsion aktiv dhe pasiv, ku shpërblimet jepeshin për të shmangur kontrollet dhe për të lehtësuar aktivitetet e paligjshme.
Këto veprime siguronin rezultate të parapërcaktuara dhe kanë cenuar konkurrencën dhe transparencën në shërbim të interesave të individëve të përfshirë.
Përdorimi i shoqërive tregtare
Përdorimi i shoqërive tregtare si mbulesë për korrupsion dhe pastrimin e produkteve të veprave penale përbën një nga format më të sofistikuara të devijimit të fondeve publike në prokurimet publike.
Skema funksiononte përmes krijimit ose përdorimit të kompanive me pronësi nominale, ku ortakët në dokumente nuk ishin përfituesit realë dhe nuk ushtrojnë kontroll efektiv, ndërsa vendimmarrja mbi tenderat dhe kontratat publike mbetej nën ndikimin e personave të fshehur.
Pronësia e kompanive ndryshonte formalisht përmes shitjeve simbolike të kuotave dhe ristrukturimeve të shpeshta, ndërkohë që administratori real mbetej i njëjtë, duke maskuar lidhjet me përfituesit e vërtetë dhe duke shmangur konfliktin e interesit.
Fonde të fituara nga kontratat publike shpërndaheshin më pas tek ortakët nominalë përmes dividendëve, ndërmjetësve financiarë dhe investimeve të strukturuara, duke krijuar një rrjet të ndërlikuar për riciklimin e parave dhe duke e kthyer shoqërinë tregtare nga një operator ekonomik në një instrument mbulues për përfitime të paligjshme.

Korrupsioni I të zgjedhurve vendorë
Gjatë hetimeve të vitit 2025, korrupsioni i funksionarëve vendorë u evidentua kryesisht përmes shkeljes së procedurave ligjore, mosrespektimit të vendimeve administrative dhe miratimit të projekteve infrastrukturore pa verifikimin e dokumentacionit të nevojshëm, duke shkaktuar dëme për qytetarët dhe institucionet publike. Një dimension tjetër i rëndësishëm ishte shfrytëzimi i fondeve publike për përfitime personale ose të lidhura me të afërmit e tyre, përmes shpërndarjes së parave tek subjekte tregtare të kontrolluara prej tyre, si dhe maskimit të origjinës së tyre përmes transaksioneve të sajuara, sponsorizimeve ose blerjeve fiktive. Korrupsioni i të zgjedhurve vendorë u shfaq edhe në konflikte interesi, ku miratoheshin projekte për subjekte ku ata vetë ose të afërmit e tyre kishin interesa materiale, shpesh të fshehura për të shmangur transparencën dhe kontrollet ligjore. Fondet dhe pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme kalonin përmes OJF- ve, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, blerjeve online dhe investimeve të strukturuara, duke krijuar një rrjet të ndërlikuar për pastrimin e parave dhe konvertimin e përfitimeve në pasuri të paluajtshme.
Krimi zgjedhor
Hetimet e SPAK-ut për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 zbuluan se, individë të ndryshëm, përfshirë zyrtarë publikë, kryetarët e fshatrave dhe kandidatë politikë, kërkonin ose ofronin përfitime në këmbim të mbështetjes elektorale. Këto përfitime përfshinin shpërblime monetare për votuesit, leje legalizimi të ndërtimeve informale, favore në vendin e punës dhe përfitime të tjera administrative. Në disa zona, zyrtarë të pushtetit vendor përdorën listat e zgjedhësve për të orientuar votuesit dhe për të ofruar përfitime direkte, duke evidentuar modele të koordinuara të ndikimit të paligjshëm në procesin zgjedhor. Hetimet treguan gjithashtu, bashkëpunim mes individëve të përfshirë për të shmangur kontrollin e organeve ligjzbatuese dhe për të mbrojtur strukturën korruptive nga ekspozimi.
Korrupsioni në institucione akademike
Në sektorin akademik janë evidentuar skema korrupsioni të lidhura me sigurimin e fondeve kërkimore dhe prokurimet e projekteve të tyre. Modus operandi përfshinte hartimin e projekteve me përmbajtje fiktive, për të siguruar financim dhe përgatitjen e specifikimeve teknike në bashkëpunim me operatorët ekonomikë që shpallen fitues. Procedurat e prokurimit rezultuan të orientuara që në fazën e ideimit të projektit, ndërsa koordinimi mes drejtuesve akademik, administratorëve dhe strukturave të prokurimit shërbente për të justifikuar fondin limit dhe për të përdorur oferta të falsifikuara. Në disa raste, procedurat zhvilloheshin pasi pajisjet ishin vendosur paraprakisht, duke kthyer procesin në një formalitet mbulues.
Profili i riskut sipas veprave penale kryesore që lidhen me korrupsionin
Disa vepra penale kryesore që lidhen me korrupsionin në vitin 2025, janë kryer në disa raste, në kuadër të krimit të organizuar. Veprat me risk më të lartë të evidentuara nga hetimet e SPAK janë; korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike (29.4%), shkelja e barazisë në tendera/ankande publike (23.8%) dhe pastrimi i produkteve të veprës penale (8.7%), ndërsa korrupsioni nga funksionarët e drejtësisë dhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm konsiderohen gjithashtu, veprime me risk të konsiderueshëm për shkak të përfshirjes në disa raste të krimit të organizuar. Vërehet një rënie e lehtë në hetimin e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë të zgjedhurve vendorë, por sidoqoftë në një rast është evidentuar lidhja me krimin e organizuar. Në tërësi, korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe shkelje të barazisë në tendera/ankande publike mbeten veprat penale më me risk dhe prioritet për monitorim dhe vlerësim, duke pasur parasysh ndikimin e tyre në administratën publike dhe tendencat e përfshirjes në to edhe të krimit të organizuar.







