Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, inspektoi punimet në kalanë e Kaninës.
Në këtë kala vijojnë punimet për ndërhyrjet konservuese, strukturale dhe gjeologjike, plane interpretimi dhe përmirësimi i eksperiencës së vizitorëve. Ministri Gonxhja inspektoi gjatë fundjavës që lamë pas, së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe panë nga afër ecurinë e ndërhyrjeve, të cilat kanë përparuar ndjeshëm.
“Ky projekt në bashkëpunim edhe me CHwB Albania, synon jo vetëm konsolidimin dhe ruajtjen e strukturave historike të kalasë, por edhe përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët, duke e kthyer këtë sit kulturor të rëndësishëm në një destinacion edhe më tërheqës për publikun”, u shpreh kreu i MTKS, Gonxhja.
Kalaja e Kaninës ndodhet 6 km larg nga qyteti i Vlorës, në një kodër me lartësi 380m mbi nivelin e detit. Muri rrethues është i gjate 1 km dhe përfshin një sipërfaqe prej 3.5 hektarësh. Mendohet te jetë ngritur aty nga shekulli i IV pK. Në të gjithë sistemin fortifikues dallohen disa faza ndërtimi që shtrihen në dy periudha, në periudhën antike si dhe në atë të periudhës mesjetare, përkatësisht bizantine, veneciane dhe turke.







