Ballina Aktualitet Kompania “Omni Bridgeway” fiton gjyqin prej 15 milionë dollarësh ndaj ministrisë së...

Kompania “Omni Bridgeway” fiton gjyqin prej 15 milionë dollarësh ndaj ministrisë së Infrastrukturës, AKBN-së dhe Alpetrol!

68
0

Një “Becchett” i dytë po i ndodh sërish vendit tonë. VoxNews ka siguruar dokumentata se si Kompania “Omni Bridgeway”, ka marrë të drejtën nga një gjykatë federale në Uashington që të konfiskojë asetet që i përkasin Shqipërisë jashtë vendit.

Sipas dokumentit ky vendim lidhet me arbitrazhin prej rreth 13 milionë dollarësh në favor të kompanisë GBC Oil, që bashkë më interesat shkon mbi 15 mln dollarë.

Kompania “Omni Bridgeway” fiton gjyqin prej 15 milionë

Vendimi per konfiskimin e aseteve

Ky vendim ka të bëjë me një konflikt që zgjat gati një dekadë, i nisur pas rritjes së taksave mbi koncesionet e naftës, kur kompania fillimisht Stream Oil kishte marrë leje për të shfrytëzuar disa fusha nafte dhe më pas ndryshoi pronësia disa herë deri tek GBC Oil.

Prandaj, Omni Bridgeway kërkoi nga gjykata lejen për të marrë masa kundër aseteve shqiptare jashtë vendit, duke shfrytëzuar të njëjtin parashikim që u përdor edhe në rastin e Albcontrol dhe Becchettit.

Gjykata e aprovoi kërkesën dhe pas këtij vendimi, Shqipëria pritet të humbasë para ose asete jashtë vendit për të përmbushur vendimin e arbitrazhit, duke u vënë përsëri nën presion financiar dhe ligjor.

Si lindi konflikti mes shtetit shqiptar dhe kompanisë GBC Oil

Historia nis në vitin 2007, kur qeveria shqiptare i dha një kompanie të quajtur Stream Oil and Gas, licencën për shfrytëzimin e 4 vendburimeve të naftës.

Bëhej fjalë për vendburimet Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Delvinë.

Stream Oil ishte dhe kjo një kompani e regjistruar në ishujt Kayman, por pas të cilës qëndronte Arian Tartari, një biznesmen afër ish qeverisë së Partisë Demokratike.

Në vitin 2008, qeveria shqiptare vendosi të rrisë në 10 për qind rentën minerare që paguanin kompanitë e naftës. Stream Oil pretendoi kompesim, por qeveria nuk pranoi.

Si rezultat kompania nisi të akumulonte borxhe të papaguara ndaj shtetit, të cilat arritën deri në 27 milionë dollarë.

Me rrotacionin e pushtetit në vitin 2014, Stream Oil iu shit biznesmenit amerikan Mitchell Malone, i cili zotëron kompaninë TransAtlantic Petroleum.

Ky i fundit, pasi e bleu kuptoi që kompania kishte dhe borxhe të tjera ndaj furnitorëve në Shqipëri, përveç atyre ndaj Tatimeve.

Malonë e mbajti dy vjet kompaninë TransAtlantic Albania dhe e shiti atë tek kompania GBC Oil e Naim Kasës, Kreshnik Grezës dhe Mark Crawford, ky i fundit, ish kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë ishte njeriu që negocioi transaksionin.

Çfarë ndodhi në arbitrazh, që na solli te vendimi i sotëm

Në viti 2017, Albpetrol vendosi të rishtetëzojë vendburimet e naftës, që tani ishin nën pronësinë e GBC Oil me argumentin se kompania nuk kishte përmbushur detyrimet e marrëveshjes koncesionare si dhe kishte miliona dollarë borxhe të papaguara në shtet.

Pas shtetëzimit, GBC Oil iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Zyrih duke kërkuar 110 milionë dollarë kompesim nga qeveria shqiptare.

Në Korrik të vitit 2020, Gjykata hodhi poshtë pjesën më të madhe të pretendimeve të GBC Oil, por e gjobiti Shqipërinë me 12.7 milionë dollarë, para të cilat qeveria duhet t’ia paguante GBC Oil si kompesim për të neutralizuar rritjen e taksave pas marrëveshjes koncesionare, shkruante Kapitali.

Fillimisht qeveria e raportoi çështjen si të fituar, por lajmi për gjobën u zbulua dy vjet më parë kur GBC Oil kontraktoi një kompani australiane për procedurat e ekzekutimit.

Tashmë ky vendim, mund të kenë pasoja direkte për asetet e shtetit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Në dokumentin e siguruar nga VoxNews thuhet se shteti shqiptar është njoftuar për vendimin e gjyqit.

VoxNews ka mësuar një tjetër detaj të rëndësishëm, Shqipërisë i janë dërguar dokumentet 5 herë me “FedEx” dhe janë dorëzuar zyrtarisht në prill 2025. Sipas dokumentit, Ministria e Drejtësisë ajo e Jashtme dhe institucionet e tjera nuk janë përgjigjur./voxnew