Pas rritjes rekord të çmimit të naftës në tregun vendas, me gati 25 për litër lekë brenda një jave, tre ministra të qeverisë u takuan këtë të martë me tregtarët e karburanteve. Delina Ibrahimaj, Enea Karakaçi dhe Petrit Malaj thanë se takimi me grosistët u zhvillua në kuadër të monitorimit të situatës së çmimeve të karburanteve dhe zhvillimeve të fundit në tregjet ndërkombëtare
“Do të forcojmë monitorimin e përditshëm të tregut, duke analizuar vazhdimisht lidhjen mes çmimeve të bursës dhe çmimeve në tregun vendas, si dhe duke rritur transparencën me operatorët dhe publikun,” shkroi ministrja e Ekonomisë në facebook.
Dhe për të mos u mjaftuar me kaq, ministria e Financave njoftoi se do të ngrejë një task-forcë të përbashkët me Tatimet dhe Doganat për të monitoruar marzhet e fitimit në gjithë zinxhirin e tregtimit të karburanteve.
Kjo është një shaka e madhe. Qeveria i ka online në kohë reale të dhënat e të gjithë zinxhirit tregtar të karburanteve, nga zhdoganimi deri tek çmimi final i shitjes me pakicë. Nuk ka nevojë as për task forcë propagande, as për show takimesh. Mjafton vetëm një komandë e thjeshtë nga sistemi i fiskalizimit, i cili gjeneron në kohë reale të gjitha marzhet në çdo hallkë tregtare.
Dhe nëse këto marzhe devijojnë nga kohët normale, atëherë qeveria ka instrumenta pa fund për të marrë fitimin spekullativ. Pa task forcë, pa takime ministrash dhe pa fjali pa kuptim si kjo që do forcojmë monitorimin e tregut.







