Ballina Ekonomia Ibrahimaj: Monitorim ditor i çmimeve të karburanteve, nëse rritja vijon rikthehet Bordi...

Ibrahimaj: Monitorim ditor i çmimeve të karburanteve, nëse rritja vijon rikthehet Bordi i Transparencës

75
0

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se qeveria po monitoron në mënyrë të përditshme çmimet e karburanteve në vend, ndërsa nuk përjashtohet rikthimi i mekanizmave të ndërhyrjes në rast të rritjeve të mëtejshme.

Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj u shpreh se gjatë u diskutua për situatën ekonomike dhe specifikisht për çmimet e karburanteve, të cilat kanë shënuar rritje gjatë javës së fundit, të ndikuara nga kriza dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Ibrahimaj informoi se është zhvilluar dje një takim me tregtarët kryesorë të karburanteve dhe me Shoqatën e Hidrokarbureve për të diskutuar mbi rritjen e shpejtë të çmimeve dhe për të theksuar detyrimin që kompanitë kanë për mbajtjen e rezervave të detyrueshme, me qëllim që të shmanget çdo situatë emergjente në furnizim.

Ministrja bëri të ditur se institucionet po ndjekin çdo ditë ecurinë e çmimeve në disa nivele të tregut, duke përfshirë çmimet e bursës ndërkombëtare për naftën, benzinën dhe gazin që hyjnë në vend, çmimin me të cilin karburanti zhdoganohet, si dhe çmimin e tregtimit në tregun me pakicë.

Ajo kujtoi se Shqipëria ka kaluar një situatë të ngjashme gjatë krizës së viteve 2022–2023, kur u krijua një mekanizëm i posaçëm, Bordi i Transparencës, për monitorimin dhe përcaktimin e çmimeve të shitjes me shumicë dhe pakicë të karburanteve.

“Gjykojmë që ende situata nuk është në nivelin e ngritjes së Bordit të Transparencës, megjithatë jemi duke monitoruar në mënyrë ditore dhe nëse kemi rritje të mëtejshme të çmimeve do të duhet të hyjmë në atë regjim”, tha Ibrahimaj.

Ministrja sqaroi se monitorimi përfshin analizimin e çmimeve të bursës që merren nga platforma ndërkombëtare Platts, në të cilën administrata doganore ka akses, si dhe krahasimin e këtyre çmimeve me ato me të cilat kompanitë e shumicës zhdoganojnë karburantin dhe me çmimet që shfaqen në tregun me pakicë.

Sipas saj, qëllimi është të kuptohet nëse marzhet e fitimit të kompanive reflektojnë realitetin e çmimeve ndërkombëtare apo nëse ka tendenca abuzive dhe spekulime në treg.

Ibrahimaj theksoi se qeveria nuk mund të ndërhyjë në çmimet e bursës, pasi ato janë ndërkombëtare dhe përcaktohen nga tregu global, por institucionet mund të monitorojnë tregun për të identifikuar çdo abuzim të mundshëm.

Duke iu përgjigjur pyetjes pse çmimi i naftës në Shqipëri rezulton më i lartë se në disa vende të rajonit, ministrja shpjegoi se një nga faktorët kryesorë është mënyra e aplikimit të taksës së qarkullimit. Sipas saj, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit ku kjo taksë paguhet mbi automjetin, në Shqipëri ajo paguhet mbi karburantin.

Kjo skemë, sipas Ibrahimajt, pasqyron më mirë realitetin, pasi automjetet që qarkullojnë dhe konsumojnë më shumë karburant paguajnë më shumë taksa, ndërsa ato që përdoren më pak paguajnë më pak.

Sa i përket ndërhyrjeve të mundshme në taksa të tjera si akciza apo taksa e karbonit, ministrja theksoi se aktualisht nuk ka një situatë që kërkon masa të tilla, duke shtuar se akciza përbën një nga komponentët kryesorë të çmimit, me rreth 40 lekë për litër.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se nga verifikimet e kryera dhe dokumentacioni i administratës doganore rezulton se kompanitë importuese të karburanteve kanë në dispozicion rezervat e detyrueshme ligjore dhe se furnitorët e tyre garantojnë vazhdimësinë e zinxhirit të furnizimit.

Sipas Ibrahimajt, fakti që çmimet reagojnë shpejt lidhet me mënyrën e funksionimit të tregut, pasi rezervat ruhen në magazina doganore dhe furnizimet kryhen në baza ditore, ndërsa çmimi i dalë nga dogana reflekton çmimin ditor të bursës dhe taksat përkatëse.

Ministrja theksoi se qeveria do të vijojë monitorimin e përditshëm të situatës dhe, nëse çmimet arrijnë nivele shumë të larta, do të ndërmerren masat e nevojshme.

Në të njëjtën kohë, ajo bëri të ditur se në paralel me çmimet e karburanteve po monitorohen edhe çmimet e produkteve kryesore të shportës së konsumit, për të identifikuar çdo tendencë spekulative që mund të vijë si efekt zinxhir nga rritja e kostove të transportit.

Ibrahimaj nënvizoi se Shqipëria operon në një regjim të ekonomisë së tregut, ku çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta, por institucionet kanë detyrimin të monitorojnë tregun dhe të garantojnë që nuk ka spekulime apo abuzime me çmimet.