Siguria kufitare dhe menaxhimi i migracionit në Shqipëri gjatë vitit 2025 janë karakterizuar nga rritja e ndjeshme e lëvizjes ndërkufitare dhe e presionit migrator, ndërsa autoritetet kanë intensifikuar kontrollet dhe masat parandaluese.
Sipas Raportit Vjetor të Ministrisë së Brendshme, në pikat e kalimit kufitar janë regjistruar 41,926,764 hyrje-dalje shtetasish, 7.4% më shumë se një vit më parë, si dhe 10,985,816 automjete, me rritje 7%.
Paralelisht, janë kapur 1,927 emigrantë të parregullt, ose 25% më shumë se në vitin 2024, ndërsa është rritur ndjeshëm edhe numri i rasteve të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, me një rritje prej 76%. Në të njëjtën kohë, tentativa për kalim të paligjshëm nga shtetas shqiptarë dhe numri i personave në kërkim të ndaluar në kufi kanë shënuar rënie, duke reflektuar një situatë ku rritja e flukseve dhe kërcënimeve të reja shoqërohet me përpjekje të shtuara për kontroll dhe menaxhim sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave në vitin 2024 u ndaluan në kufi 455 persona në kërkim, prej të cilëve 429 në kërkim kombëtar, 24 në kërkim ndërkombëtar dhe 2 për autoritetet e Kosovës, ndërsa në vitin 2025 numri i të kapurve ka rezultuar 14.3% më i ulët.
Edhe tentativa për kalim të paligjshëm të kufirit nga shtetas shqiptarë ka shënuar rënie. Gjatë vitit 2025 janë kapur 353 shtetas shqiptarë në tentativë për kalim të paligjshëm, 78 persona më pak se në vitin 2024, ose një ulje prej 18.1%. Megjithatë, kërcënimet ndaj sigurisë kufitare vijojnë të përqendrohen te trafiku i lëndëve narkotike, përdorimi i dokumenteve të falsifikuara, kontrabanda, kalimi i paligjshëm i kufirit, ndihma për kalim të paligjshëm, mosdeklarimi i vlerave monetare dhe qarkullimi i personave në kërkim.
Raporti evidenton një rritje të ndjeshme të veprës penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Gjatë vitit 2025 janë evidentuar 44 raste, kundrejt 25 rasteve në vitin 2024, ose 19 raste më shumë, që përkthehet në një rritje prej 76%.
Në aspektin e migracionit, gjatë vitit 2025 janë kapur gjithsej 1,927 shtetas të huaj emigrantë të parregullt, nga të cilët 1,694 janë evidentuar për herë të parë dhe 233 si përsëritës. Krahasuar me vitin e kaluar, numri është rritur me 387 persona, ose 25% më shumë. Nga 1,694 emigrantët e kapur për herë të parë, 126 kanë aplikuar për azil, për 87 është urdhëruar dëbimi dhe janë transportuar në Qendrën e Mbyllur për të Huajt, 42 janë urdhëruar të qëndrojnë në një territor të caktuar, ndërsa për 1,439 është lëshuar urdhër largimi vullnetar. /ekofin.al







