Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve (PSA), që në zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit arriti të hyjë në Kuvend, ka filluar procedurën e zyrtarizimit për t’u regjistruar si parti politike. Aktualisht, numri i partive politike të regjistruar në Kosovë është: 52.
Sipas njoftimit të KQZ-së, “Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve” e ka kompletuar kërkesën për regjistrim dhe vendimi për regjistrim do të merret nga ky institucion “pas përfundimit të periudhës 7 ditore, gjatë të cils publiku mund t’i shqqyrtojë dokumentet e regjistrimit”.
Në njoftimin e publikuar nga KQZ, “sipas Rregullores Zgjedhore nr.01/2024 për Regjistrimin dhe Funksionimin e Partive Politike, neni 3, paragrafi 5, secili mund ta kundërshtojë kërkesën në bazë të një ose më shumë arsyeve të parashtruara në nenin 4 të po kësaj Rregulloreje, me dorëzimin e kundërshtimeve me shkrim në Zyrë së bashku me çfarëdo të dhëne apo materiali që mbështetë kundërshtimet brenda shtatë (7) nga shpallja e shqyrtimit publik”.
Të gjitha materialet e regjistrimit, duke përfshirë programin e partisë, statutin, dhe shenjën do të jenë në dispozicion për shikim dhe komente nga publiku. Promovimi i transparencës për procesin e regjistrimit të partive politike, është pjesë e procesit të KQZ-së.
Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike gjendet në Rr. Migjeni nr. 21 në Prishtinë. Secili që dëshiron t’i shikojë dokumentet mund të ketë qasje në ueb-faqen zyrtare të KQZ-së tek linku ngjarje dhe njoftime apo të vijë në Zyrë prej orës 10:00 – 14:00 gjatë ditëve të punës, nga data 9 deri më 15 mars 2026. Për informatë shtesë mund të kontaktoni Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike/Komisioni Qendror i Zgjedhjeve: +381 (0)38 200 81 010.







