Frika nga përshkallëzimi i luftës në Gjirin Persik po ndryshon atmosferën në Dubai, një nga qendrat më të rëndësishme financiare dhe turistike të rajonit. Pas largimit të shumë turistëve në ditët e fundit, disa kompani ndërkombëtare kanë nisur të mbyllin përkohësisht zyrat dhe të largojnë stafin nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas raportimeve mediatike, kompani të mëdha financiare dhe konsulence si Deloitte, PwC dhe Citibank, si edhe grupe të tjera evropiane dhe amerikane, kanë ndërprerë aktivitetin lokal dhe kanë nisur riatdhesimin e punonjësve me fluturimet e pakta që vazhdojnë të operojnë.
Njëkohësisht, disa linja ajrore ndërkombëtare, përfshirë KLM, Lufthansa dhe Royal Air Maroc, kanë reduktuar ose pezulluar fluturimet drejt rajonit.
Tensionet janë shtuar pas disa sulmeve me dronë të atribuuara Iranit. Sipas raportimeve lokale, një nga sulmet goditi aeroportin, ndërsa të tjera kishin në shënjestër një bazë ushtarake, një hotel, distriktin financiar dhe autostradën kryesore Sheikh Zayed Road.
Autoritetet lokale i kanë cilësuar incidentet si të kufizuara dhe me dëme të vogla materiale. Sipas tyre, shërbimet komunale ndërhynë menjëherë për të pastruar zonat e prekura.
Megjithatë, perceptimi në qytet duket ndryshe. Qendrat tregtare dhe rrugët janë më pak të frekuentuara, ndërsa shumë hotele, restorante dhe plazhe raportohen me numër të ulët vizitorësh.
Në të njëjtën kohë, autoritetet në Emiratet kanë paralajmëruar për masa të rrepta ndaj publikimit të videove të sulmeve në rrjetet sociale. Sipas raportimeve, disa rezidentë të huaj janë hetuar dhe në një rast është kryer edhe arrestim për publikimin e pamjeve të sulmeve, me akuzën e shkeljes së ligjeve për sigurinë kibernetike dhe rendin publik.







