Ballina Aktualitet Bllokime rrugësh në Tiranë dhe Elbasan për festimet e Ditës së Verës

Bllokime rrugësh në Tiranë dhe Elbasan për festimet e Ditës së Verës

64
0

Festimet për Ditën e Verës në Tiranë do të sjellin kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Aktivitetet festive do të fillojnë që në orët e para të 14 marsit dhe do të zgjasin deri pas mesnate, ndërsa autoritetet kanë marrë masa për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e festimeve.

Nga data 13 mars, ora 22:00, deri më 14 mars, ora 18:00 do të kufizohet qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e Ministrisë së Brendshme deri në fillim të sheshit “Nënë Tereza”, në disa segmente të njëpasnjëshme të bulevardit.

Ndërkohë, nga data 13 mars, ora 12:00, deri më 15 mars, ora 02:00 do të ketë kufizime edhe në:

Rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te kryqëzimi me rrugën “Brigada VIII”;

Rrugën “Pjetër Bogdani”, nga kryqëzimi me rrugën “Sami Frashëri” deri te kryqëzimi me rrugën “Gjin Bue Shpata”.

Për të lehtësuar qarkullimin, mjetet do të orientohen drejt rrugëve alternative si “Lek Dukagjini”, “Abdyl Frashëri”, “Papa Gjon Pali II”, “Sami Frashëri”, si dhe bulevardet “Zhan D’Ark” dhe “Bajram Curri”.

Gjithashtu, edhe disa linja të transportit urban do të devijohen përkohësisht gjatë zhvillimit të aktiviteteve festive.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këto akse gjatë orareve të përcaktuara dhe të përdorin rrugë alternative për të shmangur trafikun gjatë festimeve.

Kufizime trafiku edhe në Elbasan 

Policia e Elbasanit ka vendosur masa të posaçme për të garantuar sigurinë dhe qetësinë gjatë aktiviteteve për Ditën e Verës më 13 dhe 14 mars 2026. Të gjitha strukturat e DVP do të jenë në gatishmëri, me prezencë të shtuar në zonat ku zhvillohen festimet, në rrugët kryesore dhe në hyrje-daljet e qytetit.

Gjatë këtyre ditëve, disa rrugë do të jenë të mbyllura për qarkullim, përfshirë segmentin nga “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”.

Po ashtu, ndalohet parkimi i mjeteve në qendër dhe përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”.

Policia do të drejtojë trafikun dhe do të udhëzojë automjetet drejt hapësirave të përcaktuara për parkim:

Nga lindja, Parku i Mallrave

Nga jugu, Shkolla e Formimit Profesional dhe parkimi pranë varrezave publike

Nga perëndimi, Shkolla profesionale “Sali Ceka”, pranë Doganës dhe parkimi pranë stacionit të trenit

Autobusët e linjës “Tiranë – Elbasan” do të stacionohen pranë Doganës, ndërsa ata të linjës “Elbasan – Cërrik” pranë ish-ofiçinës në rrugën “Ura”, afër tregut industrial.

Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të respektuar udhëzimet dhe rregullat e qarkullimit, për të bërë të mundur zhvillimin e sigurt dhe të qetë të festimeve.