Policia kufitare në Rinas ndaloi një shtetas italian, 61-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet franceze.
Gjatë kontrolleve të detajuara në hyrje/dalje të Shqipërisë u evidentua se shtetasi Vito Cardinale synonte të hynte në vendin tonë, ndërkohë që ndaj tij autoritetet franceze kishin urdhër arresti.
Sipas verifikimeve, Gjykata e Parisit e ka dënuar këtë shtetas në vitin 2024 me 2 vjet burgim, për mashtrim në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale.
Hetimet kanë zbuluar se ai ka qenë pjesë e një zinxhiri tregtarësh që, gjatë vitit 2009, ka shmangur pagesën e TVSh-së ndërmjet disa kompanive franceze, duke shkaktuar një dëm prej rreth 2.5 milionë euro për shtetin francez, dhe më pas ka pastruar fitimet e këtij aktiviteti kriminal.
Njoftimi i policisë:
PKK Rinas/Vijon operacioni ndërkombëtar, i koduar “The Wanted”.
I shkaktoi shtetit francez, rreth 2.5 milionë euro dëm, duke shmangur TVSh-në gjatë transaksioneve të disa kompanive franceze, kapet gjatë tentativës për të hyrë në Shqipëri, 61-vjeçari nga Italia.
Gjatë verifikimeve të detajuara në hyrje/dalje të Shqipërisë, me objektiv parandalimin e paligjshmërive në kufi, si dhe lëvizjen ilegale të shtetasve të shpallur në kërkim, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas kanë konstatuar se një shtetas që synonte të hynte në Republikën e Shqipërisë, ishte aktualisht në kërkim nga autoritetet franceze.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, shërbimet e Policisë Kufitare, në vijim të operacionit “The Wanted”, bënë ndalimin, me qëllim ekstradimin në Francë, të shtetasit italian, V. C., 61 vjeç.
Nga verifikimet rezultoi se Gjykata e Parisit, në vitin 2024, e ka dënuar këtë shtetas, me 2 vjet burgim, për mashtrim të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale.
Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas ishte pjesë e një zinxhiri tregtarësh që qarkullonte kuota ndërmjet kompanive franceze, gjatë vitit 2009, duke shmangur TVSh-në. Gjithashtu, ka rezultuar se ky shtetas ka pastruar fitimet e kësaj veprimtarie kriminale.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Francë, për ta finalizuar procedurën për esktradimin e këtij shtetasi.







