Nga Basir Çollaku
Çekuilibri i kryeministrit në konferencë për median është gjithnjë e më i thelluar, në adresë të shkarjes kanosëse e ligjshkelëse, duke shënuar alarmin e dosjeve të mbërritura në zyrën dhe banesën e tij. Duke qenë gjithëkontrollues i shtypit në masën dërrmuese, me përjashtime të pakta, Rama ndjen se ka ende vatra të medias të cilat sjellin transparencë për korrupsionin dhe krimin e organizuar me të cilin është lidhur ky kabinet ekzekutiv i drejtuar prej tij. Hallin e sotëm e përmendi si herë të përsëritura televizionet Syri TV dhe News 24.
Madje kryeprok-gjyqtar-kokë-ministri kishte dijeni se po hetohet atje, në prokurori. Tek ata të paaftët, sipas tij, të cilët nuk kishin haber se sa e ndershme ishte Balluku. Ata prokurorë e gjyqtarë, të mbyllur në një zyrë për të përndjekur kryeministreshën e tij heroinë. Ky narkonjeriu.
Në raportet e kësaj dekade, pastrimi i parave në Shqipëri ka shënjestër shtigjet e ofruara nga qeverisja, në krye të së cilës është Edi Rama.
Ka pastruar me Charles, me biznese e me gjobëvënie?
Me inceneratorët?
Me portet?
Me tunelet, Llogarën, Rrugën e Arbërit?
Me anijet bangladeshase të energjisë në Vlorë?
Me tenderat e rrugëve dhe të energjisë?
Me investitorët strategjikë nga bota e trafikut të drogës?
Pastron me rusë, me kinezë duke dalë nga boshti i NATO-s?
Pa lënë mënjanë tenderat për vendet arabe dhe kompani izraelite, të cilat më shumë shërbejnë për lobingje në favor të Ramës, por marrin biznese të dedikuara nën hyqmin e kryeministrit? A janë zbardhur hetime në këto pirgje parash publike?
Janë afro 12 miliardë euro në filtër hetimi, të kavërdisura nga duart e të pandehurve të qeverisë.
A është hetuar Olsi për pastrim parash, ngaqë është përmendur gjatë në dosjen e laboratorit të kokainës së “Xibrakës”? Një dosje e nxehtë gjermane, e dekonspiruar në Tiranë dhe e shkatërruar me mosveprime hetimore për këto shkaqe emrash?
Dhe si person i lidhur, sipas ligjit antimafia, për këtë duhet të kishte mbaruar një hetim edhe për Edi Ramën!
Investimet strategjike të trafikantëve të kokainës, koncesionet dhe shumëkatëshet e emrave të botës së krimit, lejet e të cilave kanë kaluar nga firma e kryeministrit, a janë hetuar për pastrim parash? Dhe cili është vendi në përgjegjësinë penale i Ramës?
Po organizata kriminale AKSHI, me akuzë zyrtare nga SPAK, qarkulluese e qindra milionë eurove dhe e të dhënave të sigurisë kombëtare, ku përmendet edhe familja e kryeministrit, a ka një hetim alarmues për pastrim apo fshehje parash?
Këtë individ e ka zënë peng mafia. Ai nuk ikën dot nga kanosjet e saj. Edhe ministresha ish-zëvendëse ka material shantazues ndaj tij.
Dhe turfullimi i tij është shpërthyer si pasojë ndaj gjithkujt. Në mbledhjet e grupit, mediet sjellin copëzat e kanosjes ndaj të vetëve, ndërsa u ulëriste:
“..Ju jeni askushi. Po ika unë, PS shkon për lesh. Unë ju mbaj në pushtet prej katër mandatesh. Kush më del kundër, do e sakatoj..”
Pa harruar 25 videot e zyrës së Infrastrukturës dhe Energjisë, të gatshme për të shpërthyer nëpër media nëse kryeministri lëkundet nga mbrojtja ndaj të pandehurve. Apo shtëpinë e përditshme “shitna sot”, e të tjera në rrugë për të bërë transparencën në përballjen luftarake të Ramës me drejtësinë.
Dhe ajo çka Rama shprehu edhe në shfajësimin ndaj Ballukut ishte thika në fyt të dëshmitares, duke dekonspiruar pjesë të përgjimeve të SPAK. Thika e vënë në fyt dëshmitares nga e pandehura, për të mundësuar ndërrimin e dëshmisë në favor të saj. Ajo thikë është edhe në fytin e Ramës. Ndoshta janë edhe duar bandash të krimit të organizuar, siç po hetohet, që bashkë me të pandehurën ia zmadhojnë Ramës thikën dhe frikën…!







