Ballina Aktualitet Problematika me menaxhimin e ushqimit, Prokuroria nis hetimin në Spitalin Korçës

Problematika me menaxhimin e ushqimit, Prokuroria nis hetimin në Spitalin Korçës

70
0

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka regjistruar procedim penal për veprën penale ‘Shpërdorim i detyrës’ ndaj Spitalit Rajonal.

Sipas Prokurorisë, procedimi ka ardhur mbi bazën e informacioneve të publikuara në median online, në lidhje me problematika në menaxhimin dhe organizimin e shërbimit të ushqimit për pacientët në Spitalin Rajonal Korçë.

Në njoftimin e Prokurorisë Korçë, nënvizohet se procedimi penal u regjistrua pas publikimit të materialit investigativ më datë 11.03.2026, ku referohen gjetje të raportit të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilit u evidentuan problematika në menaxhimin dhe organizimin e shërbimit të ushqimit për pacientët.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, urdhëroi kryerjen e një sërë veprimesh hetimore nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore, me qëllim verifikimin e plotë të rrethanave të paraqitura në materialin e publikuar, administrimin e dokumentacionit përkatës dhe identifikimin e çdo personi që mund të ketë përgjegjësi ligjore në lidhje me këtë çështje.

Hetimet do të kryhen në kuadër të rolit që ka çdo institucion publik lidhur me detyrimet ligjore për garantimin e shëndetit të pacientëve dhe të çdo qytetari të Qarkut Korçë.