Nga Klevis Bakillari
Seanca parlamentare ku u votua për mandatin e Belinda Ballukut riktheu në vëmendje një dilemë të vjetër të klasës politike shqiptare.
Kjo situatë rikthen në qendër të debatit një pyetje që shoqëria shqiptare e ka bërë shpesh vitet e fundit: sa e lirë është drejtësia nga politika? Reforma në drejtësi u prezantua si një kthesë historike për ndarjen e pushteteve dhe për të krijuar institucione të pavarura që do të hetonin edhe nivelet më të larta të pushtetit.
Realiteti politik po tregon se kufiri mes drejtësisë dhe politikës mbetet i brishtë. Drejtësia rrezikon të mbetet peng i aritmetikës parlamentare.
Rasti i Ballukut nuk është thjesht një episod procedural. Ai është një test për mënyrën se si politika shqiptare sillet përballë institucioneve të drejtësisë.
Edhe mungesa në votim, e disa figurave qëndrore të PS si Spiropali apo Xhafaj,vetëm sa shton dyshimet dhe interpretimet. A është kjo një formë distance nga vendimi politik? Apo një mënyrë për të mos u përfshirë drejtpërdrejt në një votim që mund të interpretohet si presion ndaj drejtësisë?
Problemi nuk është vetëm një emër apo një votim. Problemi është kultura politike që ende e sheh drejtësinë si një fushë ndikimi, jo si një pushtet të pavarur. Përderisa vendime që prekin hetimet apo përgjegjësinë politike kalojnë përmes filtrit të interesave partiake, drejtësia rrezikon të mbetet me duar të lidhura
Sepse SPAK më shumë sesa të ndëshkojë individë të caktuar, misioni i tij është të ndryshojë një kulturë të tërë të marrëdhënies mes pushtetit dhe ligjit; “deotomanizimin” e administratës shqiptare. Për shekuj me radhë, administrata në hapësirat shqiptare funksionon sipas një logjike osmane të pushtetit: posti publik,më shumë sesa shërbim ndaj shtetit, shihet si mundësi për përfitim personal dhe për ndërtimin e rrjeteve të besnikërisë.
Kjo trashëgimi nuk u zhduk me shpalljen e pavarësisë, as me ndryshimet e mëvonshme politike. Ajo u përshtat me sistemet e reja dhe mbeti si një mentalitet i rrënjosur në mënyrën se si kuptohet pushteti. Në këtë kuptim, korrupsioni nuk është vetëm një problem ligjor; është edhe një zakon i trashëguar institucional.
Në mënyrë paradoksale, shqiptarët ndër shekuj janë mësuar jo vetëm të korruptohen, por edhe të korruptojnë. Marrëdhënia me administratën shpesh është parë si një negociatë, jo si një raport i rregulluar nga ligji. Favori, ndërhyrja dhe ryshfeti janë bërë pjesë e një mekanizmi social që shumëkush e konsideron pothuajse normal.
Pikërisht këtu qëndron edhe vlera e madhe e SPAK-ut. Ai nuk përballet vetëm me individë të fuqishëm politikisht, por me një kulturë të tërë që ka mbijetuar për shekuj. Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë nuk sfidojnë vetëm një klasë politike; ato sfidojnë një mënyrë të të menduarit për pushtetin.
Reagimi i politikës ndaj këtyre proceseve shpesh tregon se refleksi mbrojtës i sistemit është ende i fortë. Kur çështjet që lidhen me përgjegjësinë e zyrtarëve të lartë kalojnë nëpër filtrin e votave parlamentare, krijohet përshtypja se politika ende kërkon të ruajë kontroll mbi kufijtë e drejtësisë.
Në këtë përplasje, SPAK është më shumë sesa një institucion hetimor. Ai është një provë nëse shteti shqiptar është në gjendje të shkëputet nga një traditë e gjatë administrative ku pushteti dhe përfitimi personal kanë qenë shpesh të pandarë.
Sepse problemi i vërtetë nuk është vetëm një votim në Kuvend apo një mandat i mbrojtur. Problemi është nëse Shqipëria mund të çlirohet nga një kulturë e vjetër pushteti që e ka mbajtur drejtësinë gjithmonë një hap pas politikës.
Derisa kjo kulturë të ndryshojë, drejtësia do të vazhdojë të ecë përpara me vështirësi dhe shpeshherë me prangat e politikës në duar.







