Ballina Lifestyle Kate Middleton dërgon një dhuratë domethënëse në spitalin ku u trajtua për...

Kate Middleton dërgon një dhuratë domethënëse në spitalin ku u trajtua për kancerin

80
0

Kate Middleton ndau mirënjohjen e saj për spitalin ku mori trajtim për kancerin. Të premten, princesha e Uellsit dërgoi një dhuratë kuptimplotë për Fondacionin Spitalor “Royal Marsden”. Në janar të vitit 2025 ajo zbuloi se kishte qenë paciente në këtë institucion.

Të premten, siç u konfirmua nga një postim i fundit në rrjetet sociale të Pallatit Kensington, Kate dërgoi një buqetë me lule narcisësh të verdhë dhe një shënim të shkruar me dorë nga vetë ajo.

Mesazhi i saj, i shkruar në letër zyrtare të Pallatit Kensington, fillonte kështu:

“Për pacientët dhe stafin e Royal Marsden. Ndërsa pranvera po afron, këta narcisa nga Ishujt Scilly janë për t’ju thënë se po mendoj për të gjithë ju.”

Narcisi është lulja kombëtare e Uellsit, gjë që e bën zgjedhjen e saj veçanërisht simbolike duke qenë se Middleton dhe bashkëshorti i saj, princi William, mbajnë titujt princi dhe princesha e Uellsit.

Në vitin 2024, Middleton bëri të ditur se ishte diagnostikuar me kancer (lloji i të cilit nuk u bë publik) dhe se po i nënshtrohej kimioterapisë.

Gjatë një vizite surprizë në Royal Marsden në janar 2025, princesha jo vetëm që njoftoi se sëmundja e saj ishte në fazë remisioni (simptomat dhe shenjat e sëmundjes janë reduktuar ndjeshëm), por edhe se kishte qenë paciente në këtë spital, i cili është i specializuar në trajtimin e kancerit.

“Në këtë mënyrë doja të shfrytëzoja rastin për të falënderuar Royal Marsden që u kujdes kaq mirë për mua gjatë vitit të kaluar,” shkroi ajo në rrjetet sociale në atë kohë.

“Falënderimet e mia më të përzemërta shkojnë për të gjithë ata që kanë qenë pranë meje dhe William-it në heshtje ndërsa përballeshim me gjithçka. Nuk mund të kishim kërkuar më shumë. Kujdesi dhe këshillat që kemi marrë gjatë kohës sime si paciente kanë qenë të jashtëzakonshme.”

“Është një lehtësim që tani jam në remision dhe mbetem e përqendruar te rikuperimi. Siç e di kushdo që ka pasur një diagnozë kanceri, duhet kohë për t’u përshtatur me një realitet të ri. Megjithatë, mezi pres një vit të mbushur me gjëra të bukura përpara. Ka shumë për të pritur. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen tuaj të vazhdueshme,” përfundoi ajo.

Një zëdhënës i Pallatit Kensington shpjegoi për Daily Mail se Middleton “dëshironte ta bënte këtë gjest për të treguar mirënjohjen e saj ndaj ekipit të jashtëzakonshëm të spitalit, por edhe për të vënë në dukje kujdesin dhe trajtimin e nivelit botëror që ofron Royal Marsden.”