Nga Lush Culaj
Monografia “Shqipëria dhe emigrantët nga Kosova 1920-1939 “ është një arritje shkencore shumë e rëndësishme, rezultat i një pune këmbëngulëse hulumtuese shkencore disavjeçare e autorit. Ajo pasqyron përpjekjet dhe luftën e shtetit shqiptar për trajtimin dhe sistemimin e emigrantëve nga Kosova në Shqipëri në periudhën në mes dy luftërave botërore. Që në fillim të dorëshkrimit, studiuesi Culaj, duke analizuar rrethanat shoqëroro-politike në Shqipëri në prag të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, konkludon me të drejtë se shteti shqiptar pas Luftës së Parë Botërore ka qenë një vend në pritje, një vend që pritej të bëhej, të përcaktohej, dhe të ripranohej nga Evropa si etnitet më vete dhe pjesë e kontinentit.
Mbretëria e Jugosllavisë shpërnguljen e popullatës “josllave” nga e ashtuquajtura “Serbi e Jugut” e trajtonte si interes nacional i tyre. Profesor Culaj analizon pse një pjesë e shqiptarëve të shpërngulur e zgjidhnin pikërisht Shqipërinë? Nga analiza studimore e tij del se qëllimi ishte i qartë. Ata shpirtërisht e shihnin të domosdoshëm mbetjen brenda trojeve amtare. Te popullësia e trevës së Rrafshit të Dukagjinit dhe e Drenicës ndikoi edhe afërsia gjeografike me shtetin shqiptar. Për luftëtarët e rezistencës (lëvizjes kaçake) dhe familjet e tyre zhvendosja drejt Shqipërisë kishte edhe motivin e sigurisë për shkak të ilegalitetit të imponuar. Gjithsesi për elementët më të ndërgjegjësuar, për vendosjen në Shqipëri, ndikonte edhe përpjekja për të mos u shkombëtarizuar. Edhe emigrantë të tjerë të ardhur nga Maqedonia u vendosën me banim pranë kosovarëve. Duke trajtuar vëndët ku ishin vëndosur emigrantët kushtet dhe rrethanat e vëndosjës Culaj thekson psh. se në fushën e Myzeqesë kishte të vendosur edhe emigrantë çamë, të cilët i ruanin traditat e veçanta të tyre. Profesori konstaton më të drejtë se jo pa qëllim Tafil Boletini ishte caktuar nga Qeveria si njëri ndër njerëzit kryesorë që duhej të merrej me vendosjen dhe trajtimin e emigrantëve. Ai si kosovar duhëj të ishte më afër kosovarëve edhe nga fakti se ua dinte më mirë hallet dhe problemet e tyre. Studiuesi Culaj, analizon edhe pasojat e shpërnguljes së shqiptarëve për shkak të dhunës të cilat i trajton si shumë të rënda dhe me ndikim në periudhat e mëvonshme. Këtë gjë profesori e sheh edhe në aspektin ekonomik ku pakësimi i ndjeshëm i popullsisë shqiptare në Jugosllavi u shoqërua më shkatërrimin e shumë ekonomive bujqësore dhe shumë fshatrave. U goditën rëndë edhe degë tradicionale të rëndësishme të ekonomisë së qyteteve të Kosovës. Megjithatë, thellimi i metejshëm i hendekut të marrëdhënieve ndërnacionale në ato krahina përbënte pasojat më të rënda.
Culaj, konstaton më të drejtë se edhe dokumentet diplomatike jugosllave dëshmojnë për përpjekjen e Ahmet Zogut dhe të Qeverisë Mbretërore edhe për riatdhesimin e emigrantëve nga Turqia në Shqipëri. Përkundër gjendjes të rëndë në Shqipëri emigrantët shqiptarë në Turqi, vazhduan të shtronin kërkesa për vendosjen në Shqipëri. Asokohe një faktor i rëndësishëm që ndikonte në forcimin e bindjes ndër shqiptarët për t’u shpërngulur në Turqi, ishte edhe ndjenja e fanatizmit fetar mysliman dhe ndikimi i fuqishëm i kulturës turke mbi një pjesë të popullit shqiptar. Se si ishte e rregulluar çështja e emigrantëve në Shqipëri më së miri e dëshmon dekretligji mbi vendosjen e emigrantëve, i propozuar nga Kryeministria dhe i aprovuar nga mbreti Zogu, më 2 shtator 1931.
Culaj konstaton gjithashtu që edhe dokumentet arkivore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë në Romë dëshmojnë se diplomacia italiane nuk i qasej pa argumente çështjes së shpërnguljes së shqiptarëve. Ata, në baza mujore e me interes të veçantë, e përcillnin rrjedhën e shpërnguljes të shqiptarëve nga Jugosllavia. Sipas dokumenteve arkivore italiane Qeveria Shqiptare të shpërngulurit i vendoste në viset më pak pjellore e moçalike, ku jeta ishte relativisht e vështirë. Krahas trajtimit qeveritar profesor Culaj parshtron pyetjën se si u trajtuan emigrantët nga vendasit në Shqipëri? Kosovari, siç shkruante gazeta “Besa”, “ishte më i zoti se ç’do bujk”. Myzeqeja nuk i njihte barishtat, zarzavatet dhe disa lloje të perimeve. Madje, vendësit shumë pak mbillnin edhe pemë. Të ardhurit me punën e tyre siguronin ushqim më shumë se vendësit që kishin sipërfaqe më të mëdha toke. Emigrantët vazhduan t’i kultivojnë dhe t’i ruajnë traditat e veta të ushqimit, veshjes, mbathjes, punës shtëpiake dhe atyre të fushë edhe në vendin e ri të vendosjes. Të ardhurit nga Mbretëria Jugosllave, sado që ishin vendosur larg njëri prej tjetrit, duke pasur ndjenjën e solidaritetit, bamirësisë dhe fqinjësisë së mirë, i dilnin në krah njëri tjetri në çdo nevojë. Me kalimin e kohës afërsia, ndjenja e ndihmës dhe të solidaritetit u përcollën edhe te popullata vendëse.
Krahas mbështetjës të shtetit shqiptar professor e vlerëson shumë lartë më të drejtë edhe veprimtarinë e përfaqësive diplomatike shqiptare, veçanërisht në Shkup, kryekonsullata, në Manastir, konsullata, në Beograd, ambasada, në Selanik, konsullata, në Stamboll konsullata etj. Një detyrë e rëndësishme ishte frenimi dhe pengimi i emigrimit të shqiptarëve në Turqi, nëpërmjet vendosjes së kontakteve me shqiptarët e shpërngulur nga territoret shqiptare në Jugosllavi. Ky objektiv iu ngarkua në veçanti Legatës Shqiptare në Ankara dhe asaj në Beograd.
Natyrisht që studiuesi Culaj krahas dokumentacionit arkivor shfrytëzoi dhe analizoi edhe të dhënat e studiuesve të tjerë sa i përket numrit të emigrantëve nga Kosova në Shqipëri. Studiuesi Noel Malcolm thekson se në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore ekzistonte një valë e madhe e shpërnguljes nga Kosova. Ndonëse shifrat e sakta janë çështje diskutabile është e qartë se në Shqipëri u shpërngulën disa mijëra shqiptarë. Sipas studimit të Hamit Kokalarit, me titullin “Kufijt e Shqipnis Ethnike”, në tokën e Shqipërisë së Lirë (në vitin 1939) ndodheshin rreth 25.000 shqiptarë të ardhur nga pjesët e ndryshme të Shqipërisë së robëruar nën Jugosllavi. Sipas studiuesit Marenglen Verli, në Shqipëri ishin të vendosur mbi 20 mijë të shpërngulur nga Kosova dhe vise të tjera shqiptare në Mbretërinë Jugosllave. Në fakt numri nga 20 mijë në 25 mijë mund të konsiderohet si numri më i përafërt.
Edhe përkundër trajtimit në suaza të mundësive, sipas profesor Culajt, Mbretëria Shqiptare nuk rrinte duarkryq, edhe pse nuk ishte në gjendje të kundërshtonte nga pozita e forcës programin jugosllav mbi shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Jugosllavia. Sa herë që shpërngulja e shqiptarëve po merrte dimensione intensive dhe masive, Qeveria Shqiptare reagonte jo vetëm pranë Qeverisë Jugosllave dhe asaj turke, por edhe pranë qeverive të Fuqive të Mëdha, veçanërisht asaj britanike, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre në favor të ndalimit të keqtrajtimit të shqiptarëve në Jugosllavi dhe kundër fushatës së shpërnguljes së tyre. Më 27 qershor të vitit 1934, ambasadori shqiptar në Beograd, Rauf Fico, e vizitoi të ngarkuarin me punë të Britanisë dhe në emrin personal të mbretit Zogu I e falënderoi për angazhimet e tij në të mirë të shqiptarëve.
Studiuesi, Culaj konstaton mbështetur në të dhëna të nduarnduarshme se angazhimet e Qeverisë Shqiptare në parandalimin e shpërnguljes së shqiptarëve vazhduan edhe në vitin 1939. Në mars të vitit 1939, Qeverisë Shqiptare u përpoq të përfitonte nga dobësimi i qeverisë së Cvetkoviqit për t’i dhënë fund me anë të një ligji marrjes së tokave dhe shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi duke anuluar Konventën e Stambollit. Mbretit Zogu I udhëzonte që të krijohej një komitet shqiptar, në krye me Ferhat Dragën, veprimtaria e të cilit do të drejtohet nga Legata Shqiptare në Beograd.
Profesor Culaj vjen në konkludim që përkundër vullnetit të qeverisë shqiptare, realiteti dhe mundësitë financiare të Shqipërisë për një sistemim dhe trajtim më të mirë të emigrantëve, ishin më se dëshpëruese. Këtë e pasqyron shumë mirë dokumentacioni i organeve për emigracion dhe lutjet e nëpunësve lokalë lidhur më nevojat themelore të këtij emigracioni. Madje Tafil Boletini, në cilësinë e nënprefektit të Prefekturës të Lushnjës dhe të kryetarit të Komisionit për emigracion në ketë prefekturë, kishte frikë se në mesin e emigrantëve mund të kishte edhe të vdekur nga zija e bukës.
qëllim që lënda të dalë sa më e sistematizuar, profesor Culaj punimin e ka ndarë në gjashtë kapituj. Punimi përmban disa pikëvështrime të krizës, që e shoqëron problemin e emigrantëve në Shqipëri në vitët 1920-1939 dhe përpjekjet qeveritare për trajtimin sa më të mirë të mundshëm të tyre. Dorëshkrimi është i mbështetur kryesisht në burime arkivore, dokumente vendase e të huaja të botuara e të pabotuara. Përparësi u është dhënë dokumenteve shqiptare, sepse edhe tema në shqyrtim trajton çështjen shqiptare në raport me viset shqiptare në Jugosllavi. Për temën në fjalë në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në Arkivin Qendror të Shtetëror Culaj ka shfrytëzuar një mori fondesh, të cilat janë të pasura me dokumente. Ato kanë qenë material bazë për t’i ndriçuar aspektet kryesore të qëndrimeve të shtetit shqiptar ndaj emigrantëve kosovar. Këtu përfshihen dokumentet e institucioneve të larta zyrtare, ato diplomatike, si dhe letrat, raportet, telegramet e njoftimet e rastit të personave të ndryshëm. Gjithsesi se studiuesi Culaj, nuk ka anashkaluar as materiale në përmbledhje dokumentesh arkivore të botuara. Si dhe revista të shumta historike si dhe një literaturë të gjerë në gjuhë të ndryshme. Profesor Culaj ka shfrytëzuar edhe kujtimet e ndryshme të personaliteteve politike dhe të atdhetarëve, të cilët kanë qenë protagonistë ngjarjesh, ose dëshmitarë të tyre si dhe të vet familjarëve të shpërngulur. Edhe shtypi e periodiku i kohës, si shtypi shqiptar ashtu edhe ai i huaj, më ka shërbyer si burim i rëndësishëm informacioni. Kësaj i shtohet fakti që Culaj ka gati mbi tri dekada përvojë të pasur në fushën e studimeve dhe hyn në mesin e historianëve më të mirë, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë arealin shqiptar. Në rrjedhën e studimit duket çartë se autori ka jo vetëm një përgatitje të mirë teorike, por edhe një mjeshtëri të spikatur shkencore. Libri është mjaft voluminoz, ka 580 faqe dhe është shkruar me një stil të qartë dhe të rrjedhshëm. Monografia shoqërohet me përfundimet e nxjerra nga autori në gjuhën shqipe dhe angleze, burimet arkivore shterruese të botuara dhe të pa botuara, si dhe literaturën e pasur historiografike. Nga analiza e hollësishme e përmbajtjes dhe pasqyrimi i aparaturës shkencore mund të përfundohet se monografia “Shqipëria dhe emigrantët nga Kosova 1920-1939” shënon një arritje të rëndësishme në historiografinë shqiptare.







