Pas publikimit të rastit të djeshëm, ku një minator u plagos në galeritë e minierës së bakrit në Spaç dhe ngjarja po tentohej të mbahej e fshehur nga kompania turke “Tete Albania” dhe policia, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë denoncon sërish se aksidente të shumta në minierat e vendit nuk bëhen publike, duke rritur shqetësimin për sigurinë e punonjësve. Sipas raportimeve të inspektorëve, në dymujorin 0e parë të vitit 2026 kanë ndodhur 3 aksidente në galeritë e minierave në Bulqizë, por rastet nuk janë bërë publike.
Më 6 shkurt minatori 38-vjeçar Ardian Manuka, i punësuar në kompaninë RAFA GROUP, gjatë punës në galeri u godit në këmbën e majtë nga një copë mineral, duke i shkaktuar frakturë. Aksidenti ndodhi teksa punonjësi po kontrollonte frontin e punës dhe kishte rolin e përgjegjësit, ndërsa inspektorët deklaruan se mosvlerësimi i rrezikut nga vetë i plagosuri shkaktoi ngjarjen.
Më 21 shkurt 2026, në galeritë që administrohen nga kompania Çupi Group u aksidentua punonjësi 45-vjeçar Dritan Kadi, me detyrë vagonist në nëntokë, i cili u plagos gjatë pastrimit dhe ngarkimit të materialit në galerinë 37/1. Një gur i grumbulluar u rrokullis dhe e goditi në këmbën e majtë, duke i shkaktuar frakturë në pjesën e poshtme. Inspektorët konstatuan se aksidenti lidhej me lëvizjen e materialit dhe moskujdesin e punonjësit gjatë operacionit.
Në të njëjtën ditë, në galeritë që administrohen nga kompania Albmine & Chrome, punëtori Aqif Peti, 47 vjeç, u plagos gjatë ndërtimit të armaturës në Galerinë 15. Një kapel druri rrëshqiti gjatë montimit dhe e goditi në këmbë. Inspektorët vunë në dukje se rrëshqitja e elementeve të drurit të lagur dhe pesha e tyre, së bashku me mungesën e kujdesit nga punonjësi, shkaktuan aksidentin. Në të tre rastet, inspektorët rekomanduan riinstruktim të punonjësve mbi rregullat e sigurisë, rritje të vëmendjes në zonat me rrezik materialesh të lëvizshme, përforcim të armatimeve dhe vendosje të parmakëve mbrojtës.
Nisur nga këto raporte, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë hedh akuza të forta ndaj kompanive, për të cilat thotë se punonjësit kryejnë punë jashtë profesionit dhe kapaciteteve të tyre profesionale e fizike dhe në minierë mungon personeli i kualifikuar për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk funksionojnë këshillat e sigurisë dhe nuk kryhet vlerësimi ligjor i rrezikut.







