Partia Demokratike do të mbledhë këtë të hënë Kryesinë e Partisë, ku do të merren vendime me rëndësi për këtë force politike.
Sipas burimeve mediatike, Kryesia do të mblidhet ditën e hënë në orën 14:00.
Nga ana tjetër bëhet me dije se mbledhja do të zhvillohet një ditë përpara seancës së radhës së Kuvendit të Shqipërisë.
Kjo mbledhje vjen në kuadër të dy zhvillimeve, rrëzimit të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe thirrjes së protestës kombëtare më 22 mars.
Kjo proteste vjen pas aktit te socialisteve për të mos lejuar SPAK-un, për të arrestuar deputeten Belinda Balluku. Po ashtu në rendin e ditës së Kryesisë së PD-së, do të ketë edhe vendimmarrje për zgjedhjet që do të bëhen në degët e Partisë Demokratike.
Aktualisht në disa degë të PD-së, ka kryetar të cilëve u ka përfunduar mandati. Ndërsa një tjetër pikë e rendit të ditës, është edhe miratimi i datës se kur do të zhvillohet Kuvendi Kombëtar i PD-së, ku do të zhvillohen edhe zgjedhjet për kryetar, e gjithashtu edhe për pozicionet e tjera të rëndësishme të partisë.
Po ashtu pika e fundit e rendit të ditës së kryesisë së PD-së, do të jetë edhe ngritja e një grupi pune, i cili do të shërbejë për të miratuar ndryshime statutore.







