Sistemi VAR ka disa vite që përdoret në futboll me qëllim reduktimin sa më shumë të gabimeve të gjyqtarëve. Logjika e tij është e thjeshtë: kur gjatë një aksioni një futbollist i ekipit që sulmon gjendet në një pozicion të diskutueshëm jashtë loje, gjyqtari shpesh e lejon aksionin të vazhdojë. Nëse aksioni përfundon me gol, atëherë ndërhyn VAR-i dhe rishikohet vendimi. Nëse rezulton se lojtari ishte jashtë loje, goli anulohet.
Kjo mënyrë veprimi ka një logjikë të fortë. Sepse nëse gjyqtari do ta ndërpriste menjëherë aksionin dhe më pas do të rezultonte se vendimi ishte i gabuar, dëmi do të ishte i pariparueshëm: ekipi do të ishte privuar nga një gol i mundshëm. Ndërsa e kundërta është e korrigjueshme. Një gol i gabuar mund të anulohet.
Sa herë dëgjoj debatet për veprimtarinë e SPAK-ut dhe për prirjen e tij për të përdorur burgosjen si masë të parë, madje edhe kur ende nuk është formuluar apo dokumentuar plotësisht një akuzë konkrete, më vjen ndërmend pikërisht kjo logjikë e VAR-it.
Kur një person shkon në gjyq, rezultati mund të jetë vetëm dy: ose shpallet fajtor, ose shpallet i pafajshëm. Nëse hetimi do të zhvillohej pa burgosje paraprake dhe gjykata në fund do ta shpallte fajtor, burgu është aty – askush nuk e ka hequr. Ai mund të vuajë dënimin që meriton.
Problemi lind në rastin e kundërt: kur personi shpallet i pafajshëm. Në këtë rast lind një pyetje shumë e thjeshtë dhe shumë e rëndë njëkohësisht: kush dhe si ia rikthen këtij njeriu kohën e humbur, reputacionin e dëmtuar, jetën personale dhe profesionale të goditur nga burgosja paraprake?
Për këtë pyetje duket se ende nuk ka një përgjigje bindëse. Dhe pikërisht këtu ndoshta do të vlente të merrej në konsideratë edhe logjika e VAR-it: më mirë një vendim që mund të korrigjohet, sesa një dëm që nuk rikuperohet dot më.
Futbolli e zgjidhi dilemën me VAR. Drejtësia jonë, për momentin, duket se preferon të fishkëllojë faullin para se të shohë aksionin.







