Ballina Aktualitet 18-vjetori i tragjedisë së Gërdecit, familjarët e viktimave: Kërkojmë vetëm të vërtetën...

18-vjetori i tragjedisë së Gërdecit, familjarët e viktimave: Kërkojmë vetëm të vërtetën dhe drejtësinë

63
0

Në përvjetorin e 18-të të tragjedisë së Gërdecit, familjarët e viktimave kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, ku rikujtojnë dhimbjen e humbjes dhe kërkojnë që drejtësia për këtë ngjarje të shkojë deri në fund. Në reagimin e tyre, familjarët theksojnë se kjo datë nuk është vetëm një përkujtim simbolik, por një plagë e përditshme për ta.

“Sot shënohen 18 vite nga tragjedia e Gërdecit, një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar shoqëria shqiptare në kohë paqeje. Për familjet tona kjo nuk është thjesht një datë përkujtimore. Është një kujtesë e përditshme e jetëve të humbura dhe e një drejtësie që ka marrë një rrugë tepër të gjatë për të mbërritur deri këtu”, thuhet në deklaratë.

18-vjetori i tragjedisë së Gërdecit, familjarët e viktimave:

Familjarët kundërshtojnë pretendimet se procesi gjyqësor që po zhvillohet aktualisht në Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është një proces politik, duke theksuar se pengesat ndaj drejtësisë kanë qenë pikërisht të natyrës politike.

“Ndryshe nga sa pretendohet shpesh publikisht nga ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu, gjyqi që zhvillohet sot në GJKKO nuk është një proces politik. Përkundrazi, historia e kësaj çështjeje tregon se pengesat ndaj drejtësisë kanë qenë të natyrës politike”, shprehen ata.

Sipas familjarëve, akuza ndaj ish-ministrit është ngritur që në vitin 2009, por për më shumë se një dekadë çështja nuk u gjykua. Ata kujtojnë se procedimi u ndërpre pasi Mediu fitoi mandat deputeti dhe përfitoi nga imuniteti parlamentar. Pas shumë përpjekjesh dhe kërkesash nga familjarët, çështja u rikthye në sistemin e drejtësisë dhe aktualisht po shqyrtohet në GJKKO. Megjithatë, sipas tyre, edhe ky rikthim kërkoi vite të tjera pritjeje për shkak të debateve juridike mbi vlefshmërinë e hapjes së procesit.

18-vjetori i tragjedisë së Gërdecit, familjarët e viktimave:

Familjarët shprehin gjithashtu shqetësimin për mënyrën si është zhvilluar procesi gjyqësor gjatë tre viteve të fundit.

“Në pothuajse çdo seancë, i pandehuri e përdor sallën e gjyqit jo vetëm për qëndrime juridike, por më shumë për deklarime politike në interes të tij. Gjykata e ka lejuar vazhdimisht këtë praktikë, duke i dhënë kohë të pakufizuar”, thuhet në deklaratë.

Familjarët argumentojnë se në thelb të çështjes qëndron vendimi për të lejuar demontimin e municioneve të kalibrave të mëdhenj pranë zonave të banuara, nga një kompani private që, sipas tyre, nuk kishte teknologjinë e nevojshme dhe nuk ishte nën mbikëqyrje të rreptë nga strukturat e forcave të armatosura.

“Ne nuk kemi thënë kurrë se demontimi nuk duhej bërë. Ajo që kemi thënë gjithmonë është se nuk duhej bërë në mënyrën se si u bë, në kushte të pasigurta, pranë banesave dhe me një organizim që përfundoi me një kosto tragjike në jetë njerëzish”, theksojnë familjarët.

Në fund të deklaratës, ata nënvizojnë se pas 18 vitesh nga tragjedia, procesi për përgjegjësinë ligjore është ende në fillimet e tij.