Një tjetër paradoks shënohet nga parku fiktiv “Durana”, i ngritur në zonën e Xhafzotajt në Shijak, në afërsi të autostradës Tiranë – Durrës, ku dhjetëra kompani të teknologjisë së informacionit janë regjistruar dhe përfitojnë nga lehtësirat fiskale. Skema është e njëjta me vendet offshore, ku deri dje kompanitë shqiptare regjistroheshin në ishujt e Paqësorit, ndërsa sot regjistrohen fiktivisht në atë park, i cili nuk ka asnjë godinë të ndërtuar.
Gjithçka funksionon “online”, megjithëse këto kompani kanë të shënuar si adresë në QKB rrugën “Ahmet Zogu”, Njësia Administrative Xhafzotaj, Bashkia Shijak, Durrës, Albania. Ndërkohë, si këmbim, këto kompani nuk paguajnë taksa, lehtësira me tatimet e punonjësve, falje nga disa detyrime, etj, etj.
Por, çfarë “pune” bëjnë zyrtarët e këtij parku dhe ku operojnë, pasi në Xhafzotaj s’kanë vendosur asnjë tullë? Një paradoks tepër i madh, pasi struktura shtetërore e këtij parku është tepër e madhe, me 2 administratorë, drejtora, përgjegjësia e specialistë. Me makina, karburant, dieta e gjithçka tjetër. Jo vetëm kaq, pasi zyrtarët e DURANA-s bëjnë edhe tendera, ku kësaj herë kanë kërkuar laptopë dhe pajisje IT?
Sipas dokumenteve që disponon Vox News, drejtuesit e DURANA-s kanë hapur ditët e fundit një tender për të blerë pajisje IT-je. Vlera e tenderit është rreth 10 mijë euro, ndërkohë që kërkohen 2 copë laptop për punonjës. Gjithashtu, kërkohet 1 copë laptop për administratorin.

Një paradoks tepër i madh, pasi duke qenë se i gjithë vendi në Xhafzotaj është i shkretë, me ferra e shkurre, këta administratorë do të marrin laptopët dhe do të punojnë në mes të arave në Shijak, me pamje nga të mbjellat e banorëve të zonës, ku nuk mungojnë as delet, dhitë e lopët në atë vend. Me këto pajisje portative, këta zyrtarë do të marrin vendime që vlejnë miliona euro.
Ndërkohë, dokumenti i Duranës vijon se kërkojnë edhe të blejnë 1 laptop design pro për marketingun dhe IT. Normalisht, puna në terren do të dojë marketing dhe propagandë dhe kjo s’ka si t’i mungojë këtij parku, i cili është totalisht fiktiv. Më pas, i njëjti institucion kërkon 2 kompjutera PC, set të plotë, 4 copë ekrane 24 INCH apo edhe 4 copë kamera, Webcam. Lista vijon me 10 copë kufje, 5 tastiera, 5 lidhës HDMI për laptop me ekran apo edhe 5 mouse. Gjithashtu, kërkohet edhe 1 copë tablet shënimesh.
Por, ku operon ky park që kërkon gjithë këto pajisje portative?! Vox News ka mësuar se, në datën 26 qershor 2025, Korporata e Investimeve Shqiptare, e drejtuar nga Elira Kokona, firmosi “miratimin e ndryshimit të selisë së shoqërisë ‘Durana Park SHA në rrugën Ahmet Zogu, numri i pasurisë 336, Njësia Administrative Xhafzotaj, Shijak.

Pas këtij vendimi dhe hapjes së thirrjes për regjistrimin e kompanive, pati një bum regjistrimesh në atë adresë, teksa pronarët ishin të njëjtët me ata që zhvatën AKSHI-n për vite e vite me radhë, teksa disa prej pronarëve të firmës janë të arrestuar, hetuar apo edhe në gjykim nga SPAK-u për abuzime.
Por, a ka godinë në atë zonë? Vox News ka udhëtuar në Xhafzotaj të Shijakut, duke bërë një vëzhgim në zonën që Korporata e Investimeve Shqiptare ka hapur kompaninë e saj, SH.A, e cila ka në “gjirin” e saj dhjetëra firma. Në letra, të gjitha shkruajnë adresën e sipërcituar, ndërkohë që në terren është krejt tjetër.
E gjithë sipërfaqja ka qenë dikur ushtarake dhe ishin vendosur radarë dhe antena të ndërlidhjes. Aktualisht, i gjithë ai repart është braktisur dhe disa vite më parë, sipërfaqja kaloi nga Ministria e Mbrojtjes te Korporata e Investimeve Shqiptare. Në zonë s’ka asnjë person, aq më tepër zyra, ndërkohë që godina është e shkatërruar dhe e mbuluar nga balta kur bie shi dhe nga pluhuri gjatë ditëve me diell, apo në verë.
Në ambientet e ish repartit janë edhe disa stane me bagëti, ndërkohë që në faqen e KISH jepen të dhëna për ndërtime luksoze, që deri më sot s’janë bërë, apo më keq akoma, të jenë tenderuar. Flitet për shkolla të mirëfillta të teknologjisë së informacionit, laboratorë, kompani që prodhojnë pajisje, por të gjitha janë fiktive. Në zonë ka vetëm gërmadhe dhe ferra. /Vox News







