Ballina Opinion ‘Molotovi’ kundër Ambrozias

‘Molotovi’ kundër Ambrozias

57
0

Nga Luçiano Boçi

Kur kameramani i news24 dhe makina e tij morën flakë nga shpërthimi i rastësishëm i një molotovi në protestën para Parlamentit, gazetarët kolegë reaguan. Ata ulën kamerat në shenjë proteste ndaj eksponentëve të PD që shkonin në gjykatë për të mbështetur protestuesit e arrestuar.

I mirëkuptova, pavarësisht se me vetëdije u bënë pre e spinimit mediatik kundër opozitës.

Po dje?!!!

Çfarë reagimi pati  me ‘molotovin’  me të cilin Rama goditi jo rastësisht dhe drejtpërdrejt gazetaren e njohur?!!!

Sepse ajo që ndodhi nuk ishte thjesht përjashtimi i një gazetareje nga një konferencë. Ishte përjashtimi i vetë pyetjes nga hapësira publike.

Ishte çasti kur pushteti tregoi se nuk duron më as aromën e llogaridhënies e jo me llogaridhënien.

Në vend të reagimit pati heshtje.

Kjo tregoi se një pjesë e medias është mësuar aq shumë me nënshtrimin, sa nuk reagon as kur dhunohet një kolege para syve të saj.

Ku janë gazetarët që duhet të mbrojnë gazetarët?!

Një deklaratë e thatë si ‘pas pilafit’ nga një shoqatë nuk vlen.

Ironia është therëse.

Përballë Ambrozias, që erdhi me armën e gazetarit, pyetjen, pushteti u soll me logjikën e agresorit, duke gjuajtur plumba  sipas parimit përjashto, frikëso, digj çdo zë që del ndryshe nga kori i bindur.

Dhe më e rënda nuk ishte vetëm arroganca e Ramës. Ishte mpirja e sallës.

Ishte heshtja e gazetarëve të tjerë.

Ajo heshtje e turpshme që e bën censurën të duket normale dhe poshtërimin të kalojë si procedurë.

Kur një gazetare nxirret jashtë sepse pyet, nuk kemi më konferencë për shtyp.

Kemi teatër pushteti, skenë të kontrolluar, ku nuk lejohen gazetarë, por vetëm figurantë.

Dhe kur gazetarët nuk reagojnë, problemi nuk është më vetëm te autokrati që përjashton, por edhe te klima e frikës dhe servilizmit që e ka kthyer median nga roje të demokracisë në dekor të saj.

Ambrozia u përjashtua fizikisht. Të tjerët u vetëpërjashtuan moralisht.

Në fund, nuk doli më e dobët gazetarja që u nxor jashtë. Më i zhveshur doli pushteti që nuk duron dot pyetjen.

Dhe më e turpëruar doli ajo media që pa gjithçka dhe nuk gjeti as zërin, as dinjitetin për të reaguar.