Ballina Politika “Qeveria shqiptare e ka lënë tregun e karburanteve, si një moçal”/ Tabaku...

“Qeveria shqiptare e ka lënë tregun e karburanteve, si një moçal”/ Tabaku akuza: Shteti nuk kontrollon, dhe hesht

63
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar për rritjen e çmimeve të karburanteve në Shqipëri, duke theksuar se kjo situatë nuk lidhet vetëm me zhvillimet ndërkombëtare, por me politikat e gabuara të qeverisë shqiptare.

Tabaku u shpreh se konflikti në Gjirin Persik ka krijuar presion në tregjet globale të energjisë, por shumë vende në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor po marrin masa për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të mbrojtur qytetarët.

Sipas saj, në Shqipëri situata është ndryshe, pasi çmimet rriten menjëherë sapo ka tensione ndërkombëtare, ndërkohë që qeveria nuk ndërhyn për të mbrojtur konsumatorët.

“Pse rriten çmimet menjëherë të nesërmen e një konflikti botëror? Sepse kjo situatë është përgatitur prej vitesh. Qeveria shqiptare e ka lënë tregun e karburanteve të zhvillohet si një moçal, i kapur nga një pakicë dhe pa konkurrencë reale,” u shpreh Tabaku.

Ajo theksoi se një nga arsyet kryesore të çmimeve të larta është pesha e madhe e taksave në çmimin final të karburantit.

Sipas Tabakut, rreth 60% e çmimit të karburanteve në Shqipëri përbëhet nga taksat, duke e bërë këtë një barrë të rëndë për qytetarët dhe bizneset.

Deputetja e PD shtoi gjithashtu se problemi lidhet edhe me mungesën e kontrollit të tregut dhe me tolerimin e një strukture të mbyllur që pengon konkurrencën.

“Barra e parë janë taksat e larta. Barra e dytë është shteti që nuk kontrollon, shteti që hesht dhe që nuk lejon konkurrencën,” theksoi ajo.

Në përfundim, Tabaku deklaroi se rritja e çmimeve të karburanteve po transferohet drejtpërdrejt në ekonominë familjare të shqiptarëve dhe po rëndon koston e jetesës.

“Kjo krizë nis nga karburanti dhe përfundon në xhepat e qytetarëve shqiptarë, në tryezën e çdo familjeje. Ky është një sistem i pandershëm që duhet ndryshuar,” u shpreh Tabaku.