Kontrollet në tregun e punës vijojnë me qëllim garantimin e respektimit të legjislacionit dhe përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit. Referuar të dhënave të publikuara për muajin shkurt, nga Ispektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, gjatë periudhës së fundit janë inspektuar 902 subjekte, ndërsa kontrollet kanë përfshirë në total 23 mijë e 43 vende pune në të gjithë vendin.
Autoritetet bëjnë të ditur se përveç kontrolleve të zakonshme janë zhvilluar edhe 136 inspektime këshilluese, të cilat synojnë të ndihmojnë bizneset në zbatimin e legjislacionit të punës, si dhe në përmirësimin e standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Nga inspektimet e kryera janë konstatuar një sërë shkeljesh, për të cilat janë vendosur 668 masa administrative ndaj subjekteve që nuk kanë respektuar detyrimet ligjore. Këto masa lidhen kryesisht me mosrespektimin e kushteve të sigurisë në punë, dokumentacionin e marrëdhënieve të punës apo detyrime të tjera që rrjedhin nga legjislacioni përkatës.
Ndërkohë, institucioni ka trajtuar edhe 99 ankesa të paraqitura nga qytetarët dhe punonjësit, të cilat lidhen me marrëdhëniet e punës dhe kushtet në vendin e punës.
Sipas Inspektoriatit të Punës, kontrollet në terren do të vijojnë edhe në vijim, me fokus garantimin e respektimit të të drejtave të punonjësve, formalizimin e tregut të punës dhe përmirësimin e standardeve të sigurisë në vendet e punës.







