Ballina Sport Milan bie në kryeqytet, Lazio i nxjerr nga gara për titull, Allegri:...

Milan bie në kryeqytet, Lazio i nxjerr nga gara për titull, Allegri: Kujdes, të mos shkatërrojmë sezonin

47
0

Atalanta i dhuroi një asist, por Milan jo vetëm që nuk përfitoi, por ndaj Lazio-s pësoi një humbje që praktikisht i nxjerr përfundimisht nga gara për titull në Serie A. “Djalli” e sheh veten 8 pikë larg Inter, por Allegri nuk shqetësohet për këtë pjesë, titulli nuk ka qenë kurrë një objektiv real në sytë e tij, më shumë shqetësohet për faktin që humbet 3 pikë të vyera në raport me Como, Napoli e Juve, në garën për të siguruar një vend në Champions. Jo vetëm 3 pikët, Allegri sheh t’i rebelohet edhe një nga titullarët e tij më të çmuar, Rafa Leao, me portugezin që nuk e priti mirë zëvendësimin.

Të shtyrë dhe nga publiku, Lazio e nis “flak” këtë përballë, fillimisht goditën traversën, ndërsa në minutën e 26-të, Isaksen u shkëputur bukur me një goditje të saktë brenda në zonë mposhti portierin Mike Miagnan duke kaluar kryeqytetasit në avantazh. Milan nuk ishte në një mbrëmje të mirë në këtë transfertë, me ekipin e Allegri-t që bënë pak në fazën sulmuese, më shumë u përpoqën të gjenin golin me goditje nga distanca. Pas disa përpjekjeve, kuqezinjtë arritën të gjenin golin e shumë kërkuar, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për prekje të topit me dorë në zonë. Milan tentoi deri në fund të shmangte këtë humbje, por pa sukses, me Lazio-n që feston për këtë 3 pikësh që më shumë ka vlerë morale për ekipin e Sarri-t pasi janë totalisht jashtë çdo objektivi sezonal.

Pas ndeshjes, Allegri u kujdes edhe një herë të theksojë se objektivi i Milan ka qenë dhe mbetet zona Champions: “Shumë flisnin për titull, por duhet të jemi realist dhe të mendojmë për objektivin Champions, në të kundërt rrezikojmë të shkatërrojmë atë që kemi ndërtuar këto 6 muaj. Leao? Nuk ka çështje Leao. Ishte nervoz pasi kishte disa situata ku mund të shpërbehej më mirë. Janë gjëra që ndodhin brenda një ndeshje. Dëshironim ta fitonim këtë ndeshje më shumë për të mbajtur larg ekipit që na ndjekin”, u shpreh Allegri.