Nëna e foshnjës dy muajshe e cila ndërroi jetë para dy ditësh në QSUT ka hedhur akuza ndaj mjekëve për ndarjen nga jeta të fëmijës së saj.
Vjollca Shkëmbi, është shprehur e prekur se mjekët e kanë nxjerrë foshnjen para kohe nga spitali dhe kjo rezultoi fatale për të. Më tej ajo i ka bërë thirrje policisë që të marrë masa ndaj mjekëve të Tiranës, por edhe të Korçës.
“Nuk ma bën zemra ta fut në dhé…Fajet i kishte shteti, spitali i Tiranës që e nxorri para kohe. Ky ka qenë shkaku që vdiq fëmija im para kohe. Se fëmija as nuk hante e as nuk pinte. Unë kërkoj nga shteti të marrë masa, nga policia të marrin masa ndaj doktorëve të Tiranës që ma vdiqën fëmijët dhe doktorët e Korçës që thanë duhet të mbajnë 10 ditë dhe ditën e dytë na e dhanë fëmijën para kohe. Unë dua të marrë masa shtetit për këtë punë”, u shpreh nëna e fëmijës në një intervistë për Euronews.
Kujtojmë se foshnja ishte paraqitur më 13 mars më parë në gjendje të rëndë shëndetësore në pediatrinë e Spitalit Rajonal të Korçës. Sipas hetimeve të kryera foshnja kishte lindur dy muaj para kohe, si edhe ishte në gjendje të rëndë për shkak të kequshqyerjes.
Po ashtu edhe nëna e foshnjës është raportuar se dyshohet të jetë me probleme të shëndetit mendor.







