Një aksident i rëndë rrugor në veri të Italisë është kthyer në tragjedi për një familje, pasi një përplasje mes katër makinave la të vdekur një baba 38-vjeçar dhe vjehrrën e tij 73-vjeçare. Në aksident u përfshi edhe një 29-vjeçare me origjinë shqiptare.
Ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 12:30 në rrugën provinciale “Rivoltana”, mes Caravaggio dhe Mozzanica. Sipas rindërtimit paraprak të policisë rrugore, aksidenti dyshohet se nisi gjatë një tentative parakalimi nga një makinë Mercedes C180 që drejtohej nga 29-vjeçarja shqiptare, e cila jeton në Calvenzano.
Gjatë manovrës, makina dyshohet se preku një Volkswagen Sharan, duke bërë që drejtuesi të humbiste kontrollin. Pas kësaj përplasjeje, Mercedes përfundoi në korsinë e kundërt ku po vinte një Citroen C5 me një familje prej pesë personash nga Cernusco sul Naviglio.
Përplasja frontale ishte shumë e fortë dhe Citroen doli nga rruga duke përfunduar në një kanal. Në makinë ndodheshin Fabio Saladdino, 38 vjeç, bashkëshortja e tij 35-vjeçare, dy vajzat e tyre 5 dhe 6 vjeç dhe nëna e gruas, Adele Villa, 73 vjeç.
Si pasojë e goditjes së fortë, 38-vjeçari dhe 73-vjeçarja humbën jetën. Gruaja u dërgua me helikopter në spitalin “Papa Giovanni XXIII” në Bergamo, ndërsa dy vajzat e vogla shpëtuan pa plagë të rënda dhe u larguan nga vendi i aksidentit për t’u mbajtur larg skenës së rëndë.
Edhe shoferja shqiptare e Mercedesit mbeti e plagosur dhe u transportua me helikopter në spital në Brescia. Policia rrugore po heton për të sqaruar dinamikën e plotë të aksidentit, ndërsa kamerat e një restoranti pranë rrugës mund të kenë filmuar momentin e përplasjes.







