Kapiteni i Manchester City, Bernardo Silva, ka theksuar se skuadra e tij ka nevojë për gola në ndeshjen e kthimit ndaj Real Madrid në Ligën e Kampionëve, duke shprehur dëshirën që në fushë të jetë edhe sulmuesi norvegjez Erling Haaland.
City nesër mbrëma përballet me një mision të vështirë pas humbjes 3:0 në ndeshjen e parë në Madrid, ndërsa mesfushori portugez thekson se prania e Haaland mund të jetë vendimtare për përmbysjen e rezultatit.
“Natyrisht që do të preferoja ta kemi Erlingun në fushë. Kur e ke Erlingun në fushë, shënon gola – dhe ne kemi nevojë për gola nesër”, është shprehur Silva.
Ai shtoi se pavarësisht disavantazhit të madh nga ndeshja e parë, skuadra nuk e ka humbur besimin për një rikthim.
“Futbolli na ka mësuar se shumë gjëra mund të ndodhin. Edhe pse rezultati në Madrid ishte shumë i keq, ne do të luftojmë deri në fund”, theksoi kapiteni i Cityt.
Silva beson se ndeshja në stadiumin vendas mund t’i japë skuadrës angleze një mundësi reale për të reaguar.
“Kundërshtari është shumë i fortë, por në shtëpi mund të ndodhin shumë gjëra. Do të përpiqemi të krijojmë atmosferën e duhur që kjo të ndodhë”, shtoi ai.







