
Viti 2026 ka nisur mbarë për financat publike. Buxheti i shtetit, vetëm në dy muajt e parë të vitit ka arkëtuar 130.3 miliardë lekë apo 1.3 miliardë euro. Të dhënat paraprake nga Ministria e Financave, tregojnë se të ardhurat totale, për periudhën Janar-Shkurt 2026, rezultuan në 104.4 % e planit të periudhës dhe 13.4 miliardë lekë ose 11.5 % më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), kanë pasur perfomancë pozitive për muajt Janar-Shkurt 2026, duke u realizuar në shumën 47.7 miliardë lekë apo 3.6 miliardë lekë shumë se dymujori i vitit 2025. Edhe në raport me planin, janë mbledhur 1.4 miliardë lekë më shumë.
Në nisje të vitit, duket se konsumi vijon të udhëheqë rritjen. Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizuan në shumën 18.5 miliardë lekë, 14.9% më shumë se dymujori 2025, duke tejkaluar gjithashtu planin me 1.7 miliardë. Nga tatimi mbi të ardhurat personale u mblodhën 14.1 miliardë lekë, me rritje rreth 3.8% në raport me dy muajt e parë të 2025-ës.
Të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, u arkëtuan në vlerën e 32.2 miliardë lekë, me rritje prej 7.7% krahasuar me dymujorin 2025. Nga tatimi mbi fitimin u mblodhën 7.4 miliardë lekë për Janar-Shkurt 2026, ndërsa nga taksat nacionale nga taksat nacionale 7.7 miliardë lekë.
Të ardhurat mbledhura nga administrata doganore (TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), për Janar – Shkurt 2026, u realizuan në vlerën 33.1 miliardë lekë apo 91.7% e planit.
Të ardhurat nga TVSH në import u realizuan në vlerën e 21.5 miliardë lekë, të ardhurat nga akciza rezultuan 10 miliardë lekë, apo 5.9% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Nga renta minerare në eksport, për periudhën Janar-Shkurt 2026, janë në u arkëtuan 234 milionë lekë, ndërsa të ardhurat nga taksat doganore u realizuan në 1.3 miliardë lekë.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën dymujore të vitit 2026, arritën në rreth 100.6 miliardë lekë me një realizim në masën rreth 92 % e planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 ky zë ka rezultuar rreth 6.7 miliardë lekë më shumë.






