Ballina Aktualitet Denoncimi/ Kush po e emëron shefin e Onkologjikut? Nuk respektohen kriteret, fituesi...

Denoncimi/ Kush po e emëron shefin e Onkologjikut? Nuk respektohen kriteret, fituesi dyshohet i paracaktuar

109
0

Një garë që në letër duhet të ishte konkurruese, po denoncohet si e paracaktuar në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Bëhet fjalë për përzgjedhjen e shefit të Shërbimit të Onkologjisë, pjesë e një thirrjeje zyrtare që parashikon kritere të forta profesionale, vlerësim të detajuar të dosjeve dhe paraqitje të platformave zhvillimore.

Megjithatë, burime bëjnë me dije se gara është thjesht formale, pasi fituesi është përcaktuar paraprakisht. Sipas këtyre informacioneve, kandidatët janë në garë vetëm për të plotësuar procedurën.

Në dokumentet zyrtare, procesi parashikon konkurrencë reale dhe transparencë, ku kandidatët duhet të zotërojnë tituj akademikë, mbi 10 vite eksperiencë dhe një platformë konkrete për drejtimin e shërbimit.

Por në praktikë, nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, kemi të bëjmë me një proces tërësisht të komprometuar, ku kriteret shërbejnë si fasadë, ndërsa vendimmarrja merret jashtë çdo gare dhe standardi.

Në një sektor kaq delikat si Onkologjia, ku vendimet ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e pacientëve, çdo dyshim për emërime të paracaktuara ngre pikëpyetje serioze mbi integritetin e sistemit shëndetësor.