Pas thirrjes publike që babai bëri një ditë më parë në media, foshnja që ndërroi jetë është sjellë pranë familjes ndërsa aktualisht po përcillet për në banesën e fundit. Babai i foshnjës bëri një apel publik në media duke rrëfyer kalvarin e gjatë të përballjes me gjendjen shëndetësore të fëmijës së tyre.
Ai tregoi se foshnja, e seksit mashkull, kishte lindur me probleme dhe ishte trajtuar fillimisht në Tiranë, ku qëndroi për një muaj në inkubator. Më pas e morën në banesë por gjendja e tij mbeti e brishtë duke u përballur sërish me përkeqësim të gjendjes.
Ai rrëfeu se fëmija kishte probleme me mushkëritë dhe infeksion që prej lindjes ndërkohë që nuk ushqehej normalisht. Pas disa lëvizjesh mes spitaleve në Devoll, Korçë dhe më pas drejt Tiranës, foshnja u dërgua në spitalin “Nënë Tereza”, ku fatkeqësisht ndërroi jetë.







