Përballja mes Manchester City dhe Real Madrid në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales pritet të jetë një nga sfidat më dramatike të mbrëmjes së sotme në Ligën e Kampionëve.
Kampionët anglezë përballen me një mision të vështirë, pasi duhet të përmbysin humbjen e thellë 3:0 nga ndeshja e parë në “Santiago Bernabeu”.
Madrilenët e dominuan plotësisht ndeshjen e parë, me Federico Valverde që realizoi një hat-trick të shpejtë brenda pjesës së parë, duke vendosur praktikisht fatin e ndeshjes së parë. Megjithatë, rezultati mund të ishte edhe më i thellë, por portieri Gianluigi Donnarumma ndali një penallti të Vinícius Júnior.
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola ka nevojë për një rikthim spektakolar në “Etihad Stadium”, nëse dëshiron të shmangë një tjetër eliminim nga rivali spanjoll, që do të ishte i treti radhazi në këtë garë.
Megjithatë, historia nuk është në anën e anglezëve. Në të kaluarën, ata kanë pasur shumë vështirësi për të përmbysur disavantazhe të mëdha në fazat me eliminim direkt, ndërsa “Los Blancos” njihen për eksperiencën dhe menaxhimin perfekt të këtyre situatave.
Guardiola në prag të këtij dueli ka theksuar se skuadra e tij duhet të fokusohet fillimisht te fitorja, pa menduar menjëherë për rezultatin e përgjithshëm.
“Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe. Në futboll gjithçka është e mundur, por duhet të jemi të përqendruar dhe të marrim maksimumin nga kjo sfidë”, tha trajneri i City-t.
Ndërkohë, nga kampi madrilen, Álvaro Arbeloa ka paralajmëruar se asgjë nuk ka përfunduar: “E dimë se çfarë është në gjendje të bëjë City. Duhet të qëndrojmë të organizuar dhe të mos i japim hapësira”.
Krahas kësaj ndeshje sonte zhvillohen edhe tri ndeshje tjera, ku përmbysje të mëdha të rezultateve kërkojnë edhe Chelsea dhe Sporting në duelet kundër PSG dhe Bodo Glimt, teksa Arsenali llogaritet favorit për kalim në çerekfinale para tifozëve të vet në përballje me Bayer Leverkusenin.
E martë:
Sporting – Bodo Glimt 18.45
Arsenal – Bayer Leverkusen 21.00
Chelsea – PSG 21.00
Manchester City – Real Madrid 21.00







