Një tragjedi e rëndë ka ndodhur këtë të martë në Vjenë të Austrisë, ku 4 persona humbën jetën gjatë një incidenti në vendin e punës. Sipas familjarëve dhe mediave austriake, të gjithë viktimat ishin kosovarë.
Mërgimtari nga fshati Klinë e Poshtme në Skenderaj, Pajtim Bajrami, është një ndër të ndjerët. Familjarët e tij bënë të ditur:
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës së djalit të axhës, Pajtim Bajrami, i cili tragjikisht humbi jetën në vendin e punës në Vjenë, bashkë me tre shokët e tij nga Kosova.”
Ngjarja dyshohet se ndodhi gjatë punimeve të betonit, ku janë thyer skelat dhe disa punëtorë kanë rënë në oborrin e një ndërtese të vjetër. Autoritetet austriake po hetojnë rrethanat e aksidentit dhe po punojnë për të siguruar vendin e ngjarjes.
Familjarët ende nuk kanë dhënë detaje për ceremoninë e varrimit të të ndjerit.







