Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Synimi”, duke arrestuar në flagrancë një 46-vjeçar që transportonte lëndë plasëse, armë zjarri dhe municion, të dyshuara për shitje në kryeqytet dhe përdorim në veprimtari kriminale.
Në kuadër të goditjes së rasteve të trafikimit dhe shitjes së armëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, kanë vënë në pranga shtetasin U. M., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Ai u kap në flagrancë në rrugën e fshatit Shëngjergj, teksa drejtonte një automjet, brenda të cilit u gjetën 4 kallëpe tritoli, 2 armë zjarri dhe rreth 1500 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se 46-vjeçari i kishte siguruar armët dhe lëndën plasëse në zonën e Shëngjergjit, me qëllim shitjen e tyre në Tiranë.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armët, municionin, automjetin dhe celularin e të arrestuarit, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.







