Ballina Dossier Vrasjet e të arratisurve nga shteti komunist shqiptar ende kryesisht të pandëshkuara

Vrasjet e të arratisurve nga shteti komunist shqiptar ende kryesisht të pandëshkuara

71
0

Në vitet e fundit të diktaturës komuniste në Shqipëri, autoritetet vranë dhjetëra qytetarë që përpiqeshin të largoheshin nga vendi – dhe shumica e përpjekjeve për t’i sjellë vrasësit para drejtësisë kanë hasur në pengesa dhe mungesë profesionalizmi.

Lumi Buna rrjedh i qetë pas shelgjishteve,  pak metra larg varrezës katolike në Shënkoll, një fshat kufitar,  rreth 15 kilometra larg qendrës së Ulqinit.

Më 19 dhjetor 1990, ky vend u bë skena një krimi shtetëror.

Rojet kufitare të Shqipërisë vranë në errësirë 5 persona, Pal Palna, Zade Palna, Ernest Daragjati, Olsi Lorja dhe Liljana Palna, një vajzë 11 vjeçe, e cila ra nga varka dhe u zhduk në ujërat e lumit Buna.

Ata ishin mes një grupi, pjesa më e madhe me lidhje familjare, që po tentonin të arratiseshin nga Shqipëria komuniste.

I afërmi i familjes Palna, Gjergj Ashta, rindërton skenën e asaj nate nga kujtimet e atyre që mbetën gjallë.

Sipas tij, në varkë kanë qenë 8 ose 10 vetë. Janë vrarë 4,  Pali, Zadja (nëna e Palit), Liljana vajza e Palit dhe kunati i tij Ernest Daragjati. Në një lundër tjetër që kanë qenë bashkë me këta është vrarë Olsi Lorja.

“Të gjithë ata kanë ardhur nga zona e Daragjatit e Shkodrës, kanë hyrë në Bunë me lundra dhe pas pak minutash janë përballur me forcat e policisë shqiptare dhe janë vra. Një pjesë janë vrarë dhe një pjesë i ka kapur ushtria e Malit të Zi dhe i kanë çuar në kamp”, thotë Ashta.

Ngjarja nuk tronditi vetëm Shkodrën, por dhe fshatin e vogël të Shën Kollit matanë kufirit në Mal të Zi.

Anton Hoti, banor i Shën Kollit, e ka akoma të freskët në kujtesë.

“I kanë vra atje dikund në pentar. I kanë vrarë dhe i kanë masakruar. Thonin madje që njërit ia kishin prerë gjysmën e kokës me fletët e motobarkës”, tha ai.

Krimet e regjimit komunist të udhëhequr nga Enver Hoxha e pas vdekjes së tij nga Ramiz Alia mbeten të pandëshkuara ende sot.

Një raport i datës 20 nëntor 1990 i firmosur nga ish-ministri i Brendshëm i kohës Hekuran Isai zbulon përmasat e vrasjeve në kufijtë e Shqipërisë, që ishin shndërruar në muret e një burgu të madh.

“Nga viti 1944 deri në vitin 1990 janë arratisur nëpërmjet kufirit shqiptar 9220 persona dhe 4472 të afërm të tyre, gra e fëmijë, prej të cilëve 988 kanë vdekur”, thuhet ndër të tjera në dokumentin arkivor.

Rënia e regjimit komunist në Shqipëri u vu në lëvizje në dhjetor të vitit 1990, kur shpërthyen demonstratat studentore në qytetet kryesore. Por partia komuniste në pushtet, Partia e Punës, mbeti në pushtet deri në mars të vitit 1992.

Në mungesë të statistikave zyrtare të sakta, të dhënat e përpunuara nga Instituti i Studimeve Politike tregojnë se numri më i lartë i vrasjeve në kufi u shënua në kohën kur regjimi komunist ishte në grahmat e fundit.

“Numri më i lartë i vrasjeve ndodhi në dhjetor 1990 me 12 raste, i ndjekur nga Qershor ‘90 me 9 raste, Maji me 8 raste, Gushti dhe Nëntori me nga 5 raste secili, etj.”, thuhet në një studim të kësaj organizate.

Dëshmi e gjallë e këtyre krimeve është parcela e varreve në varrezën e Shën Kollit e përdorur nga për të varrosur shqiptarët që vriteshin në kufirin me Malin e Zi.

“Do t’ju vrasim kur të arrini në breg”

Pak kilometra larg varrezës së Shën Kollit, në një pikë të plazhit të Velipojës në Shkodër, me 18 maj 1990, dy vëllezërit Gjekë dhe Vatë Beqi,  ishin nisur për të kaluar me not, kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të zi, duke synuar ishullin Ada në grykëderdhjen e Bunës.

Një fjalim publik i presidentit komunist Ramiz Alia më 7 maj të atij viti, ku njoftoi se shkelja e kufirit nuk do të konsiderohej më “tradhti e lartë ndaj Atdheut” dhe nuk dënohej me vrasje, i kishte inkurajuar ata, siç u inkurajuan mijëra të tjerë që tentuan largimin në kapërcyell të rrëzimit të regjimit komunist.

Pasi ishin pikasur në errësirë nga projektorët e rojës kufitare, ndaj dy vëllezërve ishte zbrazur një breshëri automatiku. Gjekë Beqi, njëri prej dy vëllezërve, tregon ngjarjen e asaj nate, ku vetë mbeti i plagosur rëndë me një plumb që i përshkroi nofullën, ndërsa vëllanë ia vranë.

“Komandanti një njeri mizor, sadist, na vrau kot”, tha ai.

“Ai sapo u afrua me skaf ka qëlluar. Jam plagosur unë. Jam fundosur në ujë. Më ka nxjerrë lart vëllai. Vëllai ju ka thënë ‘që jemi vendas këtu’ e ka tentuar të bisedojë me ta. ‘Mbaje, mbaje’,- i kanë thënë mos të mbytet se ‘ty do të të vrasim sa të dalësh në breg’. Dhe e ka vrarë vëllain në breg vërtet”, shtoi Gjekë Beqi.

Nëna e tyre, tani 92 vjeçe, që jeton pak kilometra larg vendit ku iu qëlluan të bijtë, pret ende drejtësinë për vrasjen e Vatës, atëkohë vetëm 25 vjeç, por si besimtare e krishterë ajo thotë se ia ka lënë drejtësinë Zotit.

“Nuk duhej ta vriste, e ka vra…nuk duhej ta vriste se me 7 maj, tha Ramiz Alia kufiri është i lirë”, tha ajo.

Personi që qëlloi me gjakftohtësi mbi të birin quhej Bino Binaj me detyrë Komandat i Postës Kufitare të Velipojës.

Në mes të viteve ‘90 Gjekë Beqi nisi betejën e tij ligjore duke shënuar një nga rastet e pakta kur gjykatat shqiptare dhanë një vendim për krimet e regjimit totalitar gati gjysëmshekullor.

“Kur kam dalë nga burgu, kam dalë i traumatizuar dhe ndoshta më ka shkuar mendja edhe për vetëgjyqësi. Por babai im thoshte jo. Të ka vrarë shteti, ndiqe në rrugë shtetërore.  Dhe e kam paditur brenda rregullave”, thotë ai.

Në gjyqin para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Shkodrës, gjyqtari Admir Thanxa e dënoi Binajn me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit.

Gjykata e Apelit të Rrethit të Tiranës la në fuqi dënimin e shkallës së parë, duke rrëzuar një apel të paraqitur nga avokatët e Binaj.

Ndërkohë Binaj në tentativë për t’i shpëtuar dënimit kishte ndryshuar emrin në gjendjen civile të Vlorës.

Një urdhër për ekzekutimin e dënimit ndaj tij, i dhënë në vitin 2009 nga Prokuroria e Shkodrës, saktëson se Bino Binaj ishte i njëjti person me emrin e ri Besnik Ali Zykaj. Por ky urdhër nuk u zbatua kurrë nga policia shqiptare, pasi Zykaj (alias Binaj) ishte arratisur nga vendi.

I shpallur në kërkim ndërkombëtar me emrin e ri ai arrestohet në vitin 2012 në Firence, Itali, por institucionet shqiptare përgjegjëse dështuan që ta esktradojnë atë drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin.

Arsyet se pse autoritetet italiane nuk janë bindur nga institucionet shqiptare që ky individ duhej të dërgohej drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin mbeten ende të paqarta pasi as Prokuroria e Shkodrës dhe as Ministria e Drejtësisë nuk e vunë në dispozicion dokumentacionin e plotë.

Policia e Shtetit thotë se Zykaj/Binaj është ende në kërkim ndërkombëtar.

I revoltuar, Beqi fajëson shtetin shqiptar. “Pra, shteti ka pasur mundësi që ta gjejë atë, por e ka ndihmuar vetë shteti për të mos u ekstraduar”, thotë ai.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike, thotë se pas rrëzimit të regjimit komunist nuk pati asnjëherë përpjekje për t’i dënuar këto krime dhe as personat që i kryen ato.

“Kur ne tentuam për të krijuar procese hetimore, ishte jashtëzakonisht e vonuar dhe individët nuk ndodheshin më në Shqipëri, ose nuk kishte më dokumentacion që mbështeste hetimet gjyqësore”, tha Krasniqi,

Ai e lidh fluksin e vrasjeve në vitin ‘90 pikërisht me ndryshimet ligjore të kohës, të cilat ndryshe nga sa u premtua nga Ramiz Alia, nuk u zbatuan nga postat kufitare.

Pavarësisht premtimeve publike udhëheqësi i fundit komunist, Ramiz Alia, i nxiste këto vrasje, siç tregon procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike 4 dhjetor 1990 ku ai justifikonte si normale gjuajtjen me armë ndaj atyre që tentonin arratisjen nga ushtarët e kufirit.

Alia e mbajti detyrën si president i vendit dhe disa muaj pas ndryshimit formal të sistemit, kohë që ai e shfrytëzoi për t’u dhënë imunitet politik të gjithë atyre që i kishin shërbyer në momentet e fundit shtetit totalitar.

Kështu, më 5 janar ‘91, u dha dekorata të larta presidenciale të gjithë oficerëve përgjegjës për vrasjet në kufi, përfshirë edhe vrasësin e Vatë Beqit, Besnik Zykaj (alias Bino Binaj).

Sipas Afrim Krasniqit, “ky ka qenë një mesazh drejtuar forcave të sigurimit të kufirit se kanë mbrojtje të lartë që nga presidenti, parlamenti dhe struktura të larta politike të vendit”.

Familjet të braktisura nga shteti

Familjarët e viktimave, të cilët u vranë në kufijtë e Shqipërisë në përpjekje për t’i shpëtuar diktaturës, u përballën me dyert e mbyllura të shtetit shqiptar për të mësuar të vërtetën dhe për të gjetur trupat e tyre.

Ndërsa shteti komunist i kishte vrarë, shteti i ri demokratik i braktisi në përpjekjet e tyre për drejtësi.

Kjo ndodhi edhe me Gjergj Ashtën, i cili i kushtoi shumë vite të jetës zbardhjes së ngjarjes dhe sidomos gjetjes dhe kthimit të eshtrave të të vrarëve që kishin mbetur në Mal të Zi.

Ai thotë se, të gjitha përpjekjet i ka bërë në rrugë private dhe e vetmja ndihmë shtetërore që mori ishte nga autoritetet malazeze të komunës Ulqin.

Fillimisht atë e ndihmoi një banor i zonës, Nikolla Elezoviç, nga fshati Shën Koll, Mal i Zi.

Elezovi[i kujtoi: “Një shok i imi më thotë kanë ardhur disa katolikë interesohen për disa të vdekur, që janë vrarë në kufi dhe i kanë sjellë te kisha juaj dhe i kanë varrosur”.

Më pas ishin autoritetet vendore të Ulqinit që e asistuan për të tërhequr trupat e të afërmëve të tij.

“Kam takuar ish-kryetarin e komunës së Ulqinit, Mehmet Bardhi, i cili më është gjendur shumë dhe më ka ndihmuar për të gjetur vendin se ku ishin varrosur. Janë dashur procedura 5 vjeçare për t’i tërhequr eshtrat, për t’i zhvarrosur dhe për t’i çuar në Shqipëri”, thotë ai.

Falë përpjekjeve të Ashtës, familja Palna ka varrosur disa nga të vdekurit e saj. Por drejtësia për ta është ende larg.

Autoriteti i Dosjeve, AIDSSH, një institucion i themeluar në vitin 2015 me qëllim hapjen e dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit, është gati të ndihmojë.

Në arkivin e saj, AIDSSH ka informacione të bollshme rreth vrasjeve në kufi që mund të hedhin dritë mbi shkallën e krimeve, por edhe të ndihmojnë anëtarët e familjeve në kërkimin e eshtrave të të dashurve të tyre.

Kryetarja e këtij institucioni, Gentiana Sula, tha se janë hapur dosjet që lidhen me vrasjet e ndodhura në kufirin juglindor dhe atë verior dhe do të vijohet me hapjen e dosjeve për kufirin me Kosovën dhe atë Jugor. Sala shpjegoi se dosjet përmbajnë dokumente nga burime të ndryshme që mund të jenë të dobishme: “Një burim mund të jenë regjistrat e kufirit, një burim mund të jenë komunikatat ditore, një burim mund të jenë dosjet personale”, tha ajo.

Sa i përket vdekjeve në lumin Buna atë natë të dhjetorit 1990, askush nuk është sjellë ende para drejtësisë. Trupi i Liljanës 11-vjeçare, vajza më e vogël e familjes Palna, është ende i zhdukur./Kujto.al