Pyetjet rreth të ardhmes së Pep Guardiola te Manchester City po shtohen gjithnjë e më shumë, pasi skuadra e tij u eliminua nga UEFA Champions League për herë të katërt në pesë vitet e fundit nga Real Madrid të martën. Trajneri katalanas siguroi se ka motivimin për të vazhduar edhe vitin e fundit të kontratës, por duket se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Guardiola u shfaq i irrituar pasi kartoni i kuq i Bernardo Silva praktikisht i dha fund shanseve të skuadrës së tij për kualifikim që në minutën e 20-të në “Etihad”.
Pas ndeshjes, gjatë konferencës për media, ai u pyet nga televizioni spanjoll nëse kishte ende energji për të vazhduar si trajner i Manchester Cityt sezonin e ardhshëm. “Po, shumë energji,” u përgjigj shkurt ai, para se të largohej, sipas Diario AS.
Sipas raportimeve të Daily Mail, të cituara nga Sport, Guardiola do ta shqyrtojë të ardhmen e tij javën e ardhshme, pas finales së Kupës së Ligës kundër Arsenal këtë fundjavë. Më pas, ai pritet të informojë drejtorin sportiv Hugo Viana, i cili tashmë ka nisur të shqyrtojë alternativa të mundshme, përfshirë Enzo Maresca.
Kjo është diçka që Guardiola e miraton, duke e konsideruar pozitive që klubi të ketë një plan rezervë.
Pavarësisht presionit në rritje pas një tjetër eliminimi nga Champions League, biografi i Guardiolës, Marti Perarnau, deklaroi për Cadena SER para ndeshjes se pret që ai ta përmbushë kontratën edhe sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, ai pranoi se kjo bazohet më shumë në intuitë sesa në informacion konkret, duke konfirmuar se ende nuk është marrë një vendim dhe se trajneri vazhdon të ketë intensitetin dhe motivimin e zakonshëm.
Ndërkohë, raportimet nga Anglia sugjerojnë se ka ditë kur kjo është e vërtetë, por edhe ditë kur 55-vjeçari ka nivele më të ulëta energjie. Guardiola është tashmë në sezonin e tij të 10-të te Manchester City dhe ka pasur në dispozicion të gjitha resurset që ka kërkuar, por para se të merrte drejtimin e klubit anglez, ai kishte shprehur bindjen se një trajner zakonisht ka një cikël prej tre deri në katër vitesh në një klub.







