Ballina Ekonomia Importet e mallrave të akcizës bien në shkurt 2026, por cigaret rriten...

Importet e mallrave të akcizës bien në shkurt 2026, por cigaret rriten ndjeshëm

72
0

Të dhënat mbi importet progresive në sasi të mallrave kryesore të akcizës tregojnë një panoramë të përzier për dy muajt e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në total, për pjesën më të madhe të zërave kryesorë vihet re tkurrje e sasive të importuara, me përjashtim të cigareve, të cilat shënojnë rritje të ndjeshme.

Sipas të dhënave të Financave, deri në fund të shkurtit 2026 janë importuar 102,091 ton karburante, nga 106,560 ton në të njëjtën periudhë të një viti më parë, çka përkthehet në një rënie me rreth 4.2%. Në të njëjtën kohë, importet progresive të cigareve arritën në 497 ton, nga 412 ton një vit më parë, ose rreth 20.6% më shumë . Për kafenë, importet ranë në 1,142 ton nga 1,241 ton, me një tkurrje prej rreth 8% , ndërsa birra shënoi rënien më të fortë relative, duke zbritur në 4,625 mijë litra nga 5,804 mijë litra, ose rreth 20.3% më pak.

Nëse analiza kufizohet vetëm te muaji shkurt, dhe jo te ecuria progresive janar-shkurt, tabloja mbetet pothuajse e njëjtë për shumicën e zërave, por me një veçori interesante te kafja. Gjatë muajit shkurt 2026 janë importuar rreth 51,283 ton karburante, kundrejt 53,304 ton në shkurt 2025, me një rënie prej rreth 3.8%. Importet mujore të cigareve arritën në 244 ton, nga 203 ton në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke reflektuar një rritje prej rreth 20.2%. Ndërsa për kafenë, vetëm në shkurt 2026 janë importuar 689 ton, nga 518 ton në shkurt 2025, që përfaqëson një rritje të fortë prej rreth 33%. Nga ana tjetër, birra zbriti lehtë në 2,475 mijë litra, nga 2,548 mijë litra, ose rreth 2.9% më pak.