Ish-deputetja Monika Kryemadhi ngriti dyshime nga dyert e Gjykatës së Posaçme se brenda institucionit të drejtësisë ka njerëz të kërcënuar nga videot e Ergys Agasit.
“Kam frikë se videot e Gys Agasit kërcënojnë shumë njerëz edhe brenda GJKKO”, deklaroi ish-deputetja e LSI-së.
Këtë akuzë Kryemadhi e hodhi pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për kalimin për gjykim të dosjes ku është e pandehur bashkë me ish-presidentin Ilir Meta, nënën e saj dhe dy persona të tjerë.
Ergys Agasi dyshohet si kreu i një grupi kriminal që urdhëronte rrëmbimin e biznesmenëve që ata të tërhiqeshin nga tenderat e AKSHI-t. Ai kishte instaluar kamera në zyrën e tij ku ka filmuar personazhe të ndryshme, që nga drejtues institucionesh, si ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, e dyshuar në të njëjtën dosje me të, te zyrtarë të policisë.







