Ballina Kulturë Rreth librit me tregime “Mëkati përtej detit” të autorit Gjon Marku

Rreth librit me tregime “Mëkati përtej detit” të autorit Gjon Marku

64
0

Nga Ndue Gaspri 

Të marrësh në dorë një libër me tregime, të bukur si lidhje e paraqitje, në këtë kohë krize ekonomike, është jo vetëm përkujdesje, por edhe një ftesë për një brendësi artistike, paralajmëruese disi ndryshe për lexuesin e interesuar e të bërë kurioz, miqësisht për emrin dhe mjeshtrinë e të shkruarit të autorit, i cili ka marrë mundimin e del para lexuesve kështu befasues, i veçantë dhe me një tematikë të gjetur mirë e të trajtuar me lirshmëri të lakmueshme.

Së pari, në metodën e të shkruarit të lirshëm, por dhe të pasur në shprehi e me gjuhë të zgjedhur artistike, në këtë vëllim të katërt të autorit kemi një mjeshtri të arritur artistike ku gjejmë ëmbëlsinë e O’Henerit apo Çehovit, të Mopasanit apo të tregimeve të Agollit, ku ndijimet njerëzore, me qartësi, ëmbëlsi e qetësi apostolike, gjejnë mjete artistike të kultivuara, folklorike, biologjike, natyrore, mjedisore dhe vijnë tek lexuesi me një rrjedhë që të fton e të rrëmben në rrëfimin e tyre.

Po kështu, gjejmë në këtë libër të autorit Gjon Marku, të titulluar “Mëkati përtej Detit”, pa kursim të rreshtuar viset tona, sidomos ato të Shqipërisë së Epërme, dhe simbolet shoqëruese kombëtare si studimtarin e kreshtave veshur me kostum të bardhë, shqiponjën e maleve, lumenjtë e pishat, bjeshkët e lëndinat barëshumta, krojet e mjegullat, kullat e dasmat dhe jeta që zhvillohet. Brenda tyre, por edhe gjallesa të vogla që shoqërojnë jetën ende të varfër morale të arealit prozaik, si qyqja, qoku, korbi, plepat, lisat, arrat, shpesh duke identifikuar fatin e personazhit me atë të tyre, në një lojë fjalësh e ndjenje të sforcuar në mes brinjësisë e frymëmarrjes së ideve që na shtron autori, nga ku merr dhe tematikat.

Autori Gjon Marku ka rrëfime të këndshme, ku si refleks të politikës së ditës e kohës kemi tregimin e gjatë “Kedhi i kulakut”, “Nuse amerikane”, “Në kërkim të Heroit”, që sipas meje mund të klasifikohen në krijimtarinë fejtonë, në modelin e hershëm francez të Hygoit e Dymait, duke vënë në lojë artistikisht pjesë të politikës së kohës apo të moskompatibilitetit shoqëror të dukurive e segmenteve shoqërore ndaj zhvillimit shoqëror në ritme e shkallë të ndryshme zhvillimi, që konstrastojnë mes tyre dhe krijojnë rast për një përplasje sociale të një shoqërie që ka ritme të ndryshme zhvillimi, shpesh kontradiktore brenda vetes si lëndë, si dëshirë e si hop.

Në krahasim me tre vëllimet e para, personazhet e këtij vëllimi përgjithësisht janë një strukturë e re, vitale e aktive, e shkolluar, e qytetëruar, që lëvizin e marrin jetë në institucionet shkollore, kulturore e qytetare, në mendësitë e forma e aktivitete civile, pavarësisht se mund të kenë zhvillimin e tyre edhe në vende ekstra, si në rastin e tregimeve “Në udhën e muzgut” e “Është koha e tyre”, ku mendimi i rinuar e përparimtar, ku ngjarjet zhvillohen në periudha të ndryshme dhe mbi motive të ndryshme, njeriu në kohën komuniste e në shërbim të saj, e tjetri me mendësi fetare të ndryshme, ku obskurantizmi nuk mund të fitonte; ai do të thyhej aty në folenë e tij, ku dhe shërbëtorët e kishës, ndonëse në episode të shkëputura, bëhen faktor zhvillimi e pranimi të novitetit njerëzor në këtë fazë të zhvillimit njerëzor ku autori i vendos ngjarjet e tregimit.

Mjaft të kujtojmë dialogun aspak të barabartë mes Palit e Mark Bregut, për një lidhje mes djalit të këtij të fundit, Kristianit të shkolluar, me vajzën myslimane, shoqen e tij të shkollës, që e do për bashkëshorten e jetës, dhe për këtë duhet të kapërcejë pengesën fanatike, kryengjeshjen në kokën e babës. Por ndryshe e zgjidhin këtë problem mes klasave në tregimin e gjatë e mjaft oponent “Kjo nuk është rruga jonë”, ku djali Iljon e vajza Vilma vërtet dashurohen fort, por mes tyre është kështjella e luftës së klasave, që djalit i jep gjithçka, do e lufton e thyen vajzën në gjithçka, e transformon në prostitutë, në trup qefi mes miqsh e për jetesë në rrugët e Europës me një jetë të shkatërruar. Ky është fati i shtresave sociale shqiptare, që u mashtruan e u penguan të mos bënin revolucionin demokratik me përmbysjen e pushtetit të trashëguar bijve, nipave e miqve të ish-diktaturës, dhe u sollën e po sillen si zotër të kohës e të jetës.

Në libër ka një tregim me titullin “Kënga e qyqes”, ku me mjaft dhimbje, bukuri, mjeshtëri dhe dashuri për tre shqiptarët e rinj, të cilët janë vënë në rrugë drejt shtetit fqinj për të gjetur një vend pune si refugjatë kalimtarë, udhëtojnë natën dhe flenë ditën të fshehur. Ata shoqëroheshin nga një qyqe, që nuk e kuptonin nëse këndonte apo vajtonte, por që, pasi kishte lënë një varg qyqesh të tjera, po nga vendi i qyqeve nga vinin, ishin të përkulur e të trembur. Kaptuan malet, luginat dhe errësirën e natës, ku nuk mungonin britmat, lumi që desh u mori shokun, historitë e mburrjet e varfërisë, pushimet mbi varrezat e banorëve të huaj me kryqe e statuja mbi to, gjithnjë ndjekur nga një zog i zi.

Në formë alegorike për fatin, ndeshim edhe në varrin e një bashkëatdhetari të tyre, A. Abazi, varrosur më 28 prill 1993. Kërcënim ky varr për ne? Mbase po, apo një tërheqje vëmendjeje, por si dhe përse? Ata ikin drejt Selanikut, larg diku më në skaj, por fatkeqësisht edhe aty policia e shtetit grek u bie sirenave për tre të rinjtë. Por tashmë një qyqe e mekanizuar, e fortë dhe me pranga, i kap për tre heronjtë tanë, duke i anatemuar, kapin dhe vrasin hajdutin shqiptar.

Vesi ynë i vjetër tregon qartë “Mëkatin përtej detit”, ku gjithë përpjekja e një grupi, po me tre vetë, që kishte zgjedhur fitimin nëpërmjet vjedhjes së pasurisë së qytetarëve italianë, përfundon në zhgënjim total; tek ne themi “qeni i ngordhur, atje njeriu i vdekur”, me idenë fatkeqe. Njeriu për njeriun është një qen i zbutur që të ha pas shpine, dhe unë si komentues i trembur shtoj natën dhe në fshehtësi, ku shpirtrat mund të shohin këto vese njerëzore.

Por kujt t’ia tregojmë – pyet me mjeshtëri autori i librit që kemi në duar?

Tregimin “Klithma e shqiponjës” e lashë për në fund, se ishte kënaqësi me strukturën artistike dhe kënaqësitë emocionale që mora nga ky tregim. Në qendër të tij ishte Xhukanoviqi, një studiues sllavo-serb, që një ditë mbi një kal të zi kaloi urën e vjetër të Danubit, ku kishin foletë shpendët krrokitës e kërmëngënës, dhe u nis drejt një vendi që arrihet nga një majë – malet ku legjendat lëvizin si retë, dhe njerëzit mes tyre udhëheqin jetën me kode e këngë që ndryshojnë pak në shekuj.

Ai priti që, pa shkelur kufirin, nga angullima e qenve dhe krrokitja e shpendëve, iu kujtua e ëma. Por misioni që kishte marrë e vuri para mes maleve të pafund deri te Bjeshkët e Namuna; në të perënduar i bëri shoqëri qoku, kënga apo vaj i tij, nesër e priste kënga e qyqes, kukuvajtimi i saj. Në mesnatë u gjend në oborrin e qelës të njërës prej kishave, diku në Munellë. Po nesër? Deshi të flinte, por jo. Çfarë po dëgjonte?

Këtu ka shumë shqiponja, shpend i çuditshëm që mpreh sqepin mbi shkëmb. Ai është simbol i një populli shumë më të lavdishëm, i nderuar dhe më fisnik se ai i tij, ardhur nga brigjet e liqenit Bajkal. Të nesërmen shikoi nga ku rrinte se si një shqiponjë iu drejtua vertikalisht një djepi në fund të arës, ku ishte një djep fëmije, e u ngrit lart pas pak duke pasur në sqep një gjarpër të zi.

Si kështu? Pyet vetën: ç’është kjo bashkëjetesë? Po kjo histori?

Ai humbi arsyen dhe qëllimin e misionit të vet inteligjent, me të cilin mbulonte gjithë mllefin historik, dhe fillimisht dëmtonte historinë e tjetrit si dokument. Por kur një djalë zbulon dhe e zhvlerëson me fjalë: “Ti qenke i zi si korbi”, këtu humb vetëdijen dhe, në rastin e parë, vret djaloshin pas altarit me thikë, e më pas shqiponjën në ajër. Por ai vend nuk mbetet pa këtë zog të bekuar.

Me këtë shpirt të rënduar do të largohet nga ky vend. Bën prapaktheu në mision; ai është i pamundur kështu. Diku mbi një shkëmb, rrugës së kthimit drejt urës mbi Danub, dëgjoi një klithmë shqiponjeje dhe, si vrasës, drejtoi pushkën; por biri i shqiponjës e sulmoi, këmba i rrëshqiti e humnera e përpiu, e pranë një kroi dha shpirt. Pastaj në ajër endet shqiponja, e dyzuar mbi një fushë të kuqe, simbol i flamurit kombëtar.

Ky është gjykimi im për këtë libër, dhe i ftoj lexuesit të falenderojmë Gjon Markun për këtë krijimtari të bukur e të spikatur, i cili, krahas tematikës, ka edhe një verb shumë të pasur dhe për t’u pasur lakmi. Intimiteti artistik në shumë tregime të ngrohta është shumë njerëzor, i përditësuar dhe i civilizuar, dhe duhet vlerësuar.